Legalizohet banda e tokave

Aktuale October 22, 2016 - 07:55

Personi sinonim i keqpërdorimit të pozitës për dallavere me prona nga koha kur ka qenë ish kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, është shpallur të premten i pafajshëm.

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka liruar nga akuzat për krim të organizuar ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka. Ai akuzohej nga një trup gjykues me dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendës për krim të organizuar dhe mashtrim.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt të vitit 2006 dhe 26 korrik të viti 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës. Por, Uka u lirua nga akuza e parë, ndërsa akuzat tjera iu vjetruan.

Bashkë me Ukën në këtë proces gjyqësor akuzoheshin edhe avokatja dhe ish-gjyqtarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Sanije Muçolli dhe eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, Fehmi Havolli. Por, edhe aktakuza ndaj Muçollit e Havollit u hodh poshtë, ngase veprat për të cilat ngarkoheshin u vjetruan.

Pjesë e këtij gjykimi ishin edhe Kadrie Hashani, Kimete Hashani-Ukaj, Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani.

Me dy vjet burg me kusht për legalizim të përmbajtjes së rreme janë dënuar Kadrie Hashani dhe Kimete Hashani-Ukaj.  Ndërsa, me 1 vit e 10 muaj burg me kusht edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani. Por, ato nuk do ta vuajnë dënimin nëse nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda dy viteve.

Duhet të hetohen përgjegjësit për këtë vendim skandaloz

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se ky vendim tregon qartazi se sistemi i drejtësisë në vend është i kapur dhe i njëjti në vend se të dënojë ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po shërben si lavatriçe e tyre.  Ajo ka thënë se duhet të nisin hetimet ndaj personave përgjegjës për këtë vendim të cilin ajo e quan skandaloz.

“Ne gjithnjë kemi thënë që shteti i së drejtës nuk mund të bëhet me këta njerëz për fajin e të cilëve kanë mbetur peng edhe qytetarët e Republikës, të cilët për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk po mund të lëvizin lirshëm. Unë e thërras ZPD (Zyra e Prokurorit Disiplinor) që të nisë hetimet ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë vendim, në mënyrë që të vërtetohen motivet e këtij vendimi skandaloz”, është shprehur deputetja Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se mungesa e dënimeve në raste të tilla ndikon negativisht në liberalizimin e vizave, pasi luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është kriter në atë proces.

“Po, konsiderojmë se drejtësia e kapur është një prej pengesave kryesore në çështjen e liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera integruese. BE na e ka bërë të ditur se pa luftimin e krimit dhe korrupsionit nuk ka liberalizim vizash dhe duhet ta potencojmë se Qeveria nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim. Madje, me këto veprime, ka regres në këtë çështje. Si përfundim, liberalizimi i vizave lidhet po ashtu me largimin e kësaj qeverie nga pushteti”, ka shtuar Haxhiu.

Po dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila është anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane ka thënë se mungesa e dënimeve në raste të tilla është duke e dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është kushti kryesor për liberalizimin e vizave, edhe pse Qeveria po mundohet që si kusht ta paraqesë vetëm demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Vazhdimisht, edhe në Bruksel, edhe në Berlin apo në qendrat tjera të rëndësishme është thënë se duhet të ketë dënime të profilit të lartë. Prandaj, vendimet e tilla të gjyqësorit po e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”, ka theksuar Kadrijaj duke thënë se ky nuk është rasti i parë kur gjyqësori i ndikuar nga partitë në pushtet i liron personat e afërt me pushtetin.

Kurse profesori universitar, Blerim Burjani ka thënë se është për keqardhje fakti që shumë lëndë vonohen më qëllim që ato të vjetrohen dhe më pas të parashkruhen. Sipas tij, duhet të sqarohet se pse po lejohet që të vjetrohen lëndët.

“Bashkimi Evropian kërkon që të luftohet më seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni, kurse këtu janë me qindra lëndë gjyqësore të cilat vjetrohen dhe parashkruhen. Prandaj, nuk ka se si të pritet liberalizimi i vizave... Personat e akuzuar që janë të lidhur me grupe të fuqishme, arrijnë që t’iu vjetrohen lëndët dhe kështu iu shpëtojnë dënimeve. Ky sistem nuk është i interesuar për rend dhe ligj, sepse po të ishte do të veprohej ndryshe ”, ka vlerësuar Burjani.

Përndryshe, Nuhi Uka është edhe njëri nga 52 të hetuarit për keqpërdorim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.

Image