Krerët fetarë të Kosovës të parët vizitojnë kishën protestante me rastin e 200 vjetorit

Aktuale October 21, 2016 - 18:49

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës Krerët fetarë të Kosovës të parët vizitojnë kishën protestante me rastin e 200 vjetorit

 Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës z. Naim Tërrnava me bashkëpunëtorë dhe i Kishës Katolike të Kosovës me bashkëpunëtorë si dhe priftërinjtë e kishës ortodokse serbe z. Stevo Mitrić me bashkëpunëtore sot vizituan kishën protestante ungjillore të Kosovës. Në mjediset e kishës “Bashkësia e Popullit të Zotit” u pritën nga kryetari i KPUK-së pastor Driton Krasniqi dhe anëtari Këshillit të Shërbestarëve pastor Femi Cakolli.

Para drekës së shtruar me rastin e 200 vjetorit krerët fetarë dhanë nga një prononcim për medie.

Kryetari pastor Driton Krasniqi pasi u uroj mirëseardhje mysafirëve të kishën protestante theksoi: “Ne po festojmë 200 vjetorin e kishës protestante në mesin e shqiptarëve. Gjatë ditëve në vijim do të mbahen akademi dhe simpozium. Është e rëndësishme për ne që festimet t’i fillojmë me miqtë tonë më të afërt. Gjatë këtyre 200 viteve kemi bashkëjetuar në të njejtën hapësirë me njerëz të bashkësive tjera fetare duke ndarë të njëjtën hapësirë, vështirësi, të arriturat e përbashkëta. Prandaj e kemi parë të udhës që fillimisht t’i ftojmë përfaqësuesit e bashkësive fetare. Synimi i takimeve si ky është të përçojmë mesazhe të paqes, harmonisë, bashkëjetesës mes komuniteteve, gjë që shpresoj të kenë arritur një efekt pozitiv në opinionin e gjerë”.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës myftiu Naim Tërrnava theksoi: “Në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dëshiroj që vëllezërve shqiptarë të komunitetit protestant t’i uroj për 200 vjetorin e prezencës së tyre në tokat shqiptare duke e lutur Zotin në vazhdimësi për një mirëqenie të përgjithshme për të gjithë ne që jetojmë në këtë nën qiell ku i madhi Zot na ka krijuar ku jetojmë e frymojmë dhe ku duhet ta japim kontributin tonë në vazhdimësi”.

Edhe kreu i Kishës Katolike ipeshkvi Dodë Gjergji uroj besimtarët protestant duke nënvizuar: “Sofra është vendi ku më së tepërmi shtrohet miqësia dhe ne e kemi zgjedhur këtë mënyrë miqësie e bashkëpunimi në kuadër të festimit tyre shumë të rëndësishëm të pranisë së tyre 200 vjeçare. Ne kësaj i gëzohemi dhe shfrytëzoj këtë rast për të përçuar urimet e mia për besimtarët e kësaj kishe”.

Në mungesë të kreut të Kishës Ortodokse peshkopit Teodosije, i pranishëm ishte prifti ortodoks Stevo Mitrić me bashkëpunëtorë. “Me ftesë të Kishës Protestante Ungjillore kemi ardhur për të uruar besimtarët në 200 vjetorin e ungjillëzimit. Fjala e Ungjillit është e njëjtë dhe ajo flet për paqe, tolerancë, bashkësi”.

Më pas krerët fetar drekuan së bashku në një atmosferë të ngrohtë miqësie. Sipas traditës, kryetari Krasniqi fillimisht udhëhoqi në lutje duke bekuar ushqimin dhe duke ju lutur Zotit që të sigurojë për popullin e Kosovës ushqim të mjaftueshëm.