Kolegji AAB nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Odën Zejtare të Dortmundit
Me rastin e themelimit të Qendrës Gjermane të Kompetencës (QGjK) në Kolegjin AAB, sot një delegacion nga Oda Zejtare e Dortmundit të Republikës së Gjermanisë, i prirë nga presidenti Berthold Schröder, zëvendëspresidentja Kerstin Feix, zëvendësdrejtori gjeneral,Wilhelm Hicking, koordinatori i Projekteve të Arsimit Profesional për Kosovë, Franc Musolli, dhe koordinatori i Projekteve Federale të ODZ-se, Tobias Schmidt,vizituan Kolegjin AAB dhe në një ceremoni solemne nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, ndërmjet Kolegjit AAB dhe Odës Zejtare të Dortmundit të Republikës së Gjermanisë.
Qëllim i kësaj marrëveshjeje është rritja dhe punësimi i të rinjve dhe të rriturve në Kosovë përmes programeve të cilësisë së lartë të aftësimit dhe arsimit dual profesional me standardet më të larta, siç janë përcaktuar nga autoritetet e Kosovës. Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga prorektori për Çështje Mësimore në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi, dhe presidenti i ODZ-së, Berthold Schröder.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, prorektori për Çështje Mësimore në Kolegjin AAB, Shemsedin Vehapi, foli për historikun e AAB-së, dhe mundësitë që ofron ky institucion i lartë arsimor, me theks të veçantë për Qendrën Gjermane të Kompetencës (QGjK), e cila është pjesë e Kolegjit AAB. “Kjo marrëveshje përcakton sferën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, duke iu dhënë mundësi të rinjve dhe të rriturve që të marrin një profesion dhe mjeshtri, si një mundësi e punësimit më të lehtë dhe sipas standardeve më të larta evropiane”, tha z. Vehapi.
Ndërsa,presidenti i ODZ-së, Berthold Schröder, ka thënë se në një të ardhme të afërt, do të dakordohemi për zbatueshmërinë e hollësishme të bashkëpunimit në fushat e identifikuara bashkërisht. Llojet e kurseve të cilat do të organizohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë:rrobaqepësi, kozmetikë, prodhues të reklamave me shenja dhe ndriçim, etj.. Mysafirët ishin shumë të kënaqur me të arriturat dhe kushtet që ofrohen në AAB, sidomos me programet e studimit, teknologjinë moderne, infrastrukturën, personelin akademik,arritjet e studentëve,punëtorinë e rrobaqepësisë, e sidomos me Qendrën Gjermane të Kompetencës (QGjK).