AKI ka informacione për serbët që u arrestuan në Mal të Zi

Aktuale October 18, 2016 - 07:54

 Inteligjenca e Kosovës ka informacione për serbët e përfshirë në planifikimin për sulmet në Malin e Zi. Sipas përfaqësuesit të AKI-së, pavarësisht se Kosova është e rrezikuar nga këto veprime, Policia dhe Agjencia e Inteligjencës kanë informacione të duhura për të ndaluar çdo formë të provokimeve

Sulmi i planifikuar të ndodhte në Mal të Zi para dy ditësh, në të cilin qenë përfshirë 20 serbë (6 nga veriu i Kosovës), ka alarmuar jo vetëm Malin e Zi, por edhe Kosovën. Planifikimi i sulmit të tillë në shtetin fqinj me persona të dyshuar edhe nga Kosova kanë shqetësuar njohësit e çështjeve të sigurisë. Vetë fakti që brenda territorit të Kosovës ka persona të tillë, sipas njohësve të kësaj fushe, Kosova duhet t’i rrisë masat e sigurisë. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka pranuar të japë detaje rreth kësaj situate. Ndërkaq, zyrtarë të Policisë për Rajonin e Mitrovicës kanë thënë për “Zërin” se sulmi i planifikuar në Mal të Zi nuk ka reflektuar aspak në këtë pjesë të Kosovës.

Mirëpo, përfaqësues të AKI-së thonë se pavarësisht se Kosova është e rrezikuar nga këto veprime, Policia dhe Agjencia e Inteligjencës kanë informacione të duhura për të ndaluar çdo formë të provokimeve.

 Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare dhe njëherësh deputet i “Nismës për Kosovën”, e ka cilësuar si shqetësues rastin në fjalë.

“Është shqetësim i madh sepse ka filluar që ndikimi rus të shtrihet në disa vende të rajonit dhe atë Rusia po tenton që të futet përmes dikastereve të veta. Për këtë arsye është shqetësuese jo vetëm për Kosovën, po për gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Sipas tij, përmes komunitetit serb ata po dëshirojnë ta shndërrojnë Kosovën në një vend jostabil për interesa të tyre.

Duke thënë se Kosova është mjaft e rrezikuar ai është shprehur i bindur se Policia e Kosovës dhe AKI-ja kanë informacione sa për t’i parandaluar planifikimet e tilla. “Kosova është e rrezikuar nga këto veprime, por Policia dhe Agjencia e Inteligjencës kanë informacione të duhura dhe kapacitete për të ndaluar çdo formë të provokimeve”, ka shtuar Shala.

Pavarësisht këtyre, partitë opozitare kanë vlerësuar se ndikimi rus ka filluar të shtrihet në disa vende të rajonit, jo vetëm në Kosovë.

Sipas Lëvizjes “Vetëvendosje”, po qe se në Kosovë ndodhin sulme të tilla PK-ja nuk është e fuqishme të reagojë paraprakisht.

Kosova t’i rrisë masat e sigurisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se planifikimi i sulmit në Mal të Zi është shqetësues jo vetëm për shtetin e Kosovës, por për të gjitha vendet e rajonit.

“Rasti i planifikimeve për destabilizim të dhunshëm në Malin e Zi, me pretendime që të jenë organizuar nga serbët, është shqetësues dhe alarmues për secilin vend në rajon”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, shteti i Kosovës mund të ballafaqohet në çdo kohë me plane të tilla për sulme.

“Kosova mund të përballet në secilën kohë me planifikime të tilla të agjenturave serbe, qoftë përmes grupeve të caktuara kriminale, por të lidhura direkt me synime të Serbisë”, është shprehur Ramadani.

Ai më tutje ka thënë që kundërshtarët mund të provojnë ta destabilizojnë gjendjen, pasi që, sipas tij, Kosova ka mangësi në kontrollimin e veriut.

“Fakti që shteti i Kosovës ka mangësi të mëdha në kontrollimin e elementeve të rëndësishme të sigurisë kombëtare në veri të Kosovës, është i fakt i mjaftueshëm për mundësinë që dikush nga kundërshtarët e Kosovës të provojë të ndërtojë situata të rënda dhe të dhunshme të destabilizimit të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ramadani në vazhdim ka vlerësuar se agjentët e Serbisë dhe të Rusisë nuk kanë arritur akoma të ndalen.

“Ç’është e vërteta, qarkullimi i agjentëve të fshehtë të Serbisë e të Rusisë nuk është arritur të ndalet apo të parandalohet”, ka theksuar ai.

Ndërsa Avni Islami, ekspert i çështjeve të sigurisë, ka thënë se pas sulmit të përgatitur në Mal të Zi institucionet e Kosovës duhet të vihen në gatishmëri.

“Institucionet e Kosovës duhet t’i mbajnë nën vëzhgim, t’i përcjellin dhe t’i arrestojnë. Unë kam besim se organet e sigurisë kanë kapacitete të mjaftueshme për kryerjen e këtyre detyrave”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, arrestimi i grupit “kriminal” në Malin e Zi do të duhej të merret si mostër nga organet e sigurisë së Kosovës.

Maloku: Nuk ka arsye për shqetësim

Pavarësisht tij, njohësi i sigurisë Naim Maloku ka vlerësuar se nuk ka vend as për shqetësim e as për ndonjë rrezik të mundshëm.

“Unë mendoj që nuk ka ndonjë rrezik të organizimit të ndonjë sulmi të tillë në Kosovë. Aty ka qenë situata tjetër. Neutralizimi apo eliminimi i Gjukanoviqit, praktikisht do të prodhonte situatë krejtësisht tjetër. Kosova nuk varet nga individë të caktuar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, serbët nuk kanë ndonjë interes që të shkaktojnë trazira në Kosovë.

Maloku gjatë bisedës ka thënë se Serbia nuk ka kurrfarë interesi që të organizojë ndonjë sulm në Kosovë, pasi që, siç ai ka thënë, Serbia fiton miliona euro nga Kosova.

“Nuk ka interes kur Kosova mbi 70% importin e ka prej Serbisë. 600-700 milionë euro prodhim Serbia i shet në Kosovë. Nuk e besoj që Serbia ka interes që ta destabilizojë Kosovën, ta dëmtojë kur ka një treg të veten”, ka përfunduar Maloku.

Ndërkohë edhe sipas ekspertit tjetër të sigurisë, Avni Islami, arrestimi i grupit kriminal e terrorist serb në Malin e Zi do të duhej të merret si shembull nga organet e sigurisë së Kosovës. “Zakonisht edhe te ne gjatë zgjedhjeve kemi pasur raste kur grupet e organizuar kriminale serbe kanë marrë veprime të dhunshme, porse askush nuk është arrestuar”, ka thënë Islami. Prandaj ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që t’i mbajnë nën vëzhgim dhe t’i përcjellin e t’i arrestojnë ato grupe.

LVV: Kriminelët në veri zhvillojnë lirshëm aktivitetin

Kurse deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, gjendjen e sigurisë në Kosovë e ka cilësuar si mjaft shqetësuese.

“Konsiderojmë se gjendja në siguri sikurse edhe në shumë fusha të tjera është në nivel shqetësues. Përderisa shteti dorëzohet para kriminelëve, nuk ndërmerr asnjë veprim në lidhje me strukturat kriminale, ka shumë arsye për shqetësim”, ka thënë ajo.

Kurse ka vlerësuar se nuk mund të përjashtohet mundësia që organizimi i sulmit në Mal të Zi nga serbët (organizatorë të të cilit ishte edhe një pjesë e serbëve të Kosovës), të përshkallëzohet edhe në Kosovë, specifikisht në veri.

“Nuk është e pamundur një gjë e tillë. Sidomos kur e kemi parasysh funksionimin e strukturave paralele atje. Dihet fare mirë se kriminelët atje zhvillojnë lirshëm aktivitetet dhe institucionet tona të rendit shpesh as nuk kanë informacione në lidhje me këtë”,  ka potencuar ajo.

Ndërkohë ka thënë që nëse ekziston mundësia për sulme të tilla, Policia është e pafuqishme që të reagojë paraprakisht.

Haxhiu gjatë bisedës ka vlerësuar se institucionet nuk po punojnë aspak për sigurinë në vend. “Kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve ne shohim institucione të paafta, të ngathëta, që janë shprehje e një dorëzimi të tyre ndaj së keqes”, ka potencuar deputetja e LVV-së.

Pavarësisht kësaj Bali Muharremaj, nga AAK-ja, ka thënë se Rusia po synon që vendet si Mali i Zi e Kosova t’i destabilizojë.

“Rusia përmes satelitit të saj Serbisë po bën çdo gjë që shtetet me orientim pro-perëndimor, siç janë Kosova e Mali i Zi, t'i destabilizojë dhe t' i hapë vetes rrugë për ta shtrirë ndikimin në këtë pjesë”, ka theksuar ai. Sipas tij, situata në Kosovë nuk është aspak e sigurt.

“Jo vetëm në veri, por edhe në tërë vendin situata është e rëndë dhe e pasigurt sepse mekanizmat institucionalë nuk po veprojnë”, ka deklaruar Muharremaj.

Më tutje, deputeti i AAK-së ka thënë se rreziku është evident, ndërkohë, sipas tij, institucionet e sigurisë janë degraduar e janë stërkequr.

Hoti: Në Mitrovicë, gjendje e zakonshme

E kontaktuar nga “Zëri” Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka dhënë kurrfarë informate lidhur me këtë çështje.

“I drejtoheni Policisë së Kosovës”, është përgjigjur shkurt Zyra për Komunikim Publik në MPB.

Ndërkaq Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, ka thënë se gjendja në Mitrovicë është shumë normale dhe nuk ka asnjë reflektim sa i takon rastit në fjalë.
“Absolutisht nuk ka asnjë reflektim sa i përket situatës në veri. Mendoj që është një gjendje e zakonshme, normale. Duhet marrë pa ndonjë tension. Absolutisht nuk ka reflektuar në gjendjen e sigurisë në Mitrovicë”, ka deklaruar Hoti për “Zërin”.
Ndërkaq, sa i takon rastit në fjalë Hoti ka thënë se nuk ka ndonjë informacion dhe se një gjë e tillë nuk u takon atyre.

“Nuk kemi asnjë informacion, vetëm çka kemi dëgjuar në lajme, në televizione të ndryshme, absolutisht nuk na takon ta komentojmë. S’ka të bëjë me neve, ka ndodhur në një shtet tjetër”, ka thënë më tutje Besim Hoti.

Matoshi: Rasti i Malit të Zi të vlejë si alarm

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka thënë se dëshiron të besojë në përkushtimin e PK-së, ndonëse, sipas tij, duhet të ketë kujdes sa u takon rasteve në fjalë.

“Dua të besoj në përkushtimin e Policisë kosovare, porse duhet pasur kujdes sepse kjo Policia po përdoret për spastrim hesapesh politike duke mos i lënë shumë hapësirë e resurse për ngritje profesionale. Kosova realisht ende ‘shpenzon’ e nuk prodhon siguri”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, sipas Matoshit, rasti në Mal të Zi duhet të merret si alarm.

“Porse, rasti i ndërhyrjes në republikën fqinje, Mal të Zi, duhet të vlejë si alarm: Serbia është në ofensivë politiko-diplomatike por edhe përmes spiunazhit dhe grupeve kinse paramilitare, që në thelb janë nën urdhrat e shtetit serb”, ka deklaruar më tutje Halil Matoshit.

Ndryshe nga ai, analisti politik Blerim Burjani ka vlerësuar se institucionet në Kosovë janë mjaft efikase.

“Institucionet e rendit dhe ligji janë efikase në këtë temë, madje ka edhe shumë raste që mbahen nën vëzhgim. Kjo është shumë pozitive për sigurinë”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të angazhohen në maksimum për parandalimin e këtyre sulmeve të mundshme.

Ndryshe nga ai eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se pjesëtarët e grupit të serbëve që kishin planifikuar sulmin në Mal të Zi janë tejet të përgatitur.

“Pjesëtarët e këtij grupi kanë përgatitje speciale ushtarake. Kjo po dëshmohet edhe me emrat, të të cilët janë arrestuar, ku shefi i këtij grupi është hiç më pak se ish-komandant i xhandarmërisë serbe”, ka thënë ai.

Ndërkaq ka vlerësuar se serbët e Kosovës, të cilët janë përfshirë në sulmin në fjalë, dëshmojnë se në veri të Kosovës ka forca që punojnë për interesa sllave.

“Kjo edhe një herë po e dëshmon atë që në pjesën veriore ka grupe ‘formale’ shtetërore të forcave speciale serbe, që operojnë dhe punojnë për interesat sllave në pjesën e Ballkanit”, është shprehur Shala.

Sipas tij, çdo mosmarrëveshje politike ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkallën e sigurisë në vend.

Pavarësisht këtyre ai ka vlerësuar se gjendja në Kosovë është stabile.

“Në anën tjetër siguria është kryesisht stabile, por në disa situata ka kontura destabilizuese të cilat nëse shikohen vetëm nga një kënd nuk ta japin pasqyrën e drejtë”, ka deklaruar ai./ZERI