Sindikata: Minatorët të gëzuar, presin përmirësimin e mirëqenies sociale

Aktuale October 07, 2016 - 23:54

Kryesindikalisti i minatorëve, Shyqyri Krasniqi, ka thënë se është i lumtur që kërkesa e tyre për ligjin mbi Trepçën më në fund po realizohet.

Krasniqi në një intervistë në Orën e Fundit, ka thënë se nëse kërkesa e tyre nuk do realizohej do të shkonin në grevë si dhe do e bënin një marsh nga Mitrovica në Prishtinë.

“Brenda katër muajve ju kemi drejtuar tre herë të gjitha institucioneve të Kosovës. Kërkesa e fundit ka qenë edhe një lloj ultimatumi që ju ka dhënë afat 5 tetorin që të rishikojë Qeveria ligjin për Trepçën”.

“Disa herë më parë na u ka premtuar nga Qeveria që ligji do bëhet në qershor. E kjo na ka shtyer që ne të bëjmë një ultimatum deri më 5 tetor, e nëse nuk do bëhej ne do shkonim në grevë. Ne nuk e kemi përjashtuar as grevën dhe marshin prej Mitrovicës deri në Prishtinë”.

Ai është shprehur i lumtur që projektligji për Trepçën kaloi në leximin e parë.

“Është një lajm i mirë për të gjithë neve, edhe për minatorët edhe për gjithë popullin e Kosovës, ky ligj për ne do të thotë shumë, presim një mirëqenie më të mirë për minatorët”.

Sipas tij, qeveria nuk i ka dhënë mundësi minatorëve që të debatojnë për projektligjin mbi Trepçën. Por ai shpreson që projektligji për Trepçën do të kalojë edhe në leximin e dytë.

“Besoj që edhe në leximin e dytë do të kalojë dhe do të jetë i tërëfuqishëm ligji për neve. Minatorët po ndihen të gëzuar, pasi presin një mirëqenie më të mirë sociale”.