20 amandamentet në Projektligjin për Trepçën po shqyrtohen në Komisione

Aktuale October 07, 2016 - 23:40

Kanë kaluar më shumë se 4 orë që është miratuar në lexim të parë, dhe gati tri orë që kur do të duhej të riniste seanca për miratim në lexim të dytë të Projektligjit për Trepçën, por ajo ende nuk ka nisur.

Seanca do të duhej të riniste në orën 20:30.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i ka thënë TV ARTA-s se aktualisht amandamentet janë duke u shqyrtuar në tri komisione dhe pasi të përfundojnë të gjitha takimet atëherë pritet edhe të nisë seanca.

“Brenda pak kohe pritet të nisë seanca e Kuvendit ku pritet të miratohet në lexim të dytë projektligji për Trepçën”, ka thënë ai.

“Janë rreth 20 amandamente që do të shqyrtohen dhe mund të zgjasin pak takimet në Komisionet e tjera të Kuvendit, të cilat janë të përfshira në këtë ligj”, ka thënë Krasniqi.

Si rrallë herë seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës kishte nisur në orën 15:00, për shkak të ndeshjes së futbollit mes Kosovës dhe Kroacisë në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Rusia 2018”.