Qeveria riprocedon Demarkacionin pa konsensus

Aktuale October 03, 2016 - 07:59

Qeveria e Kosovës pritet ta dërgojë në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi pa konsensus të spektrit politik në vend. Kjo do të ndodhë pasi opozita pranon të takohet me kryeministrin Mustafa vetëm nëse pranohen kushtet e tyre. Në Qeveri thonë se nuk pranojnë kushte paraprake 

Konsensusi për riprocedimin e Projektligjit për ratifikimin e Demarkacionit mes pushtetit dhe partive opozitare duke i pamundshëm.

Deklarimet e dyja palëve, para se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa t’u bëjë ftesë krerëve të tri partive opozitare për një takim, nuk po kontribuojnë në afrimin e qëndrimeve mes tyre, por ndarjes edhe më të madhe.

E si pasojë e kësaj, ekzekutivi i vendit pritet që pa konsensus dhe në mënyrë arbitrare ta dërgojë në Kuvend për ratifikim Marrëveshjen për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Më 1 shtator Qeveria e kishte tërhequr nga rendi i ditës këtë marrëveshje, pasi në seancë nuk ishte Lista Serbe, çka pamundësonte ratifikimin e saj.

Pas kësaj i pari i Qeverisë paralajmëroi ftesën për liderët e partive politike, pozitë e opozitë, për një takim të përbashkët për ta gjetur një konsensus rreth kësaj çështjeje, e cila po kundërshtohet tash e një vit.

Demarkacioni nuk shkon këtë javë në Kuvend

Zyrtarët qeveritarë kanë përsëritur se kryeministri Isa Mustafa është i gatshëm t’u bëjë ftesë liderëve opozitarë për një takim, në të cilin do të diskutohej rreth gjetjes së një konsensusi për ta riproceduar dhe për ta votuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë se një ftesë e tillë do të bëhet nëse partitë opozitare tregojnë vullnet për një takim të tillë pa kushte paraprake.

“Ndërsa në lidhje me ftesën e kryeministrit opozita duhet të tregojë vullnet të sinqertë që të takohemi pa vendosjen e kushteve paraprake. Nëse tregohet një vullnet i tillë kryeministri Mustafa është i gatshëm t’i ftojë në takim menjëherë”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”, ku edhe konfirmon se gjatë kësaj jave nuk do të riprocedohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi.

“Projektligji nuk shkon”, është shprehur shkurt Gecaj.

Mirëpo, në anën tjetër opozita i quan marrëzi deklaratat e kreut të Qeverisë Isa Mustafa se do ta riprocedojnë këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend.

Haradinaj e quan marrëzi riprocedimin e Demarkacionit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se pikërisht pse nuk ka pasur vota për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Isa Mustafa e ka tërhequr Projektligjin.

“Shpresoj që do ta kuptojnë më, tani kemi rastin e plot deputetëve që nuk deklarohen publikisht, por besoni se s’kanë për ta votuar këtë version. Pra, deklarimi i kryeministrit se do ta riprocedojmë është njëfarë marrëzie ashtu, sepse nuk ka votë për këtë version dhe më mirë është të reflektojnë më shpejt”, ka thënë Haradinaj, i cili nuk është kundër takimeve që ka paralajmëruar Mustafa.

“Tani nëse fton një takim kryeministri Mustafa ose e linçon një takim të tillë është e fundit që duhet t’i bie dikujt ndërmend që po fton, sepse me qëllime të njëjta s’ka logjikë më. Nuk jemi kundër takimeve asnjëherë”, është shprehur më tutje kreu i AAK-së.

Ndërsa partia më e madhe opozitare, lëvizja “Vetëvendosje”, ka kushte të cilat, sipas koordinatores së qendrave të LVV-së, Teutë Rrusta, duhet të plotësohen, ndryshe nuk kanë kuptim takime të tilla.

“Nuk kanë kuptim asnjë format i takimeve që s'kanë synim t'i japin zgjidhje çështjes së demarkacionit. Për më tepër, ne kemi bërë publik 5 pika që tejkalojnë krizën e demarkacionit. Dhe nëse Qeveria ka vullnet, takimi duhet të mbahet duke marrë parasysh kushtet tona. Ndryshe, është e pakuptimtë të mbahen këto takime dhe ne e shohim si të parëndësishme pjesëmarrjen në to”, ka theksuar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, nuk jep përgjigje nëse do të jenë pjesëmarrës me apo pa kushte në takimin që do ta ftojë Mustafa.

“Së pari ftesa, pastaj përgjigjja. Ai është kryeministër, ai po thotë se do ta ftojë opozitën. Shumë mirë, atëherë le ta bëjë ftesën, le të shkruajë ndonjë rresht në atë ftesë, le të tregojë se çka do të flasë në atë takim dhe pastaj ne do të marrim qëndrim”, ka theksuar Sherifi.