Gjysma e Prishtinës, e uzurpuar

Aktuale October 02, 2016 - 07:53

Janë edhe 180 banesa të uzurpuara në Prishtinë. Shumica e uzurpatorëve, sipas NPB-së, gjenden në objektin banesor 9/4, në lagjen “Dardania”. Aty sipas informatave zyrtare janë gjithsej 131 banesa të uzurpuara. Në kryeqytet kanë qenë edhe 51 ndërmarrje të AKP-së me uzurpatorë, ka uzurpime të tokave... 

Edhe 180 banesa vazhdojnë të jenë të uzurpuara në Prishtinë. Kjo informatë është konfirmuar nga zyrtarë të Ndërmarrjes Pronësore Banesore (NPB) përmes një përgjigjeje me shkrim të adresuar nga Zyra për Informim e këtij institucioni. “Numri i banesave të uzurpuara për të cilat është e informuar Ndërmarrja dhe mbi të cilat ajo ka kompetencë dhe përgjegjësi për të vepruar është rreth 180”, thuhet në një përgjigje të NPB-së përmes e-mailit.
Në këtë Ndërmarrje konfirmojnë së shumica e uzurpatorëve gjenden në objektin banesor 9/4, në lagjen “Dardania”. Aty sipas informatave zyrtare janë gjithsej 131 banesa të uzurpuara. “Edhe objekti banesor E39, në lagjen ‘Bregu i Diellit II’, rr. “Xheladin Hana”, ka banesa të uzurpuara. Janë gjithsej 40, si dhe disa raste të tjera ku kemi të bëjmë me nga një banesë në një bllok banesor”, thuhet në përgjigje.

 Banesat e uzurpuara janë dhënë me qira

NPB-ja sa i përket identitetit të uzurpatorëve ka thënë se e posedon listën me të gjithë emrat e legjitimuar deri në vitin 2005, kur dhe janë ngritur padi mbi këta persona. “Duhet theksuar që një pjesë e banesave shfrytëzohen me qira dhe ka të tilla që i kanë ndërruar banorët ndër vite”, thonë në NPB.

Zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore kanë thënë se sipas kontratave me bashkuesit e mjeteve pronarë legjitimë të objektit banesor 9/4, në lagjen “Dardania”, janë Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, Elektroekonomia e Kosovës, Doganat e Kosovës, ish-Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, Posta e Kosovës, Ujësjellësi, persona fizikë, si dhe një pjesë është pronë e NPB-së.

Ndërmarrjet, e uzurpuara

Përveç shumë banesave të uzurpuara, në Prishtinë kanë qenë edhe 51 ndërmarrje shoqërore të privatizuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por që janë shfrytëzuar nga uzurpatorët. Nga prilli i këtij viti shumica e këtyre uzurpatorëve janë larguar nga këto ndërmarrje pas një aksioni të Policisë së Kosovës me urdhër të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ndërkohë, pavarësisht zgjidhjes së mijëra lëndëve që ndërlidhen me uzurpimet e pronës banesore kriza e pronave në Kosovë nuk është zgjidhur as për së afërmi.

Kjo thuhet edhe në një raport të OSBE-së rreth uzurpimit të pronave.

“Një numër i madh i tokave dhe i ndërtesave, që kryesisht u takojnë personave të zhvendosur, vazhdojnë të jenë të uzurpuara. Mungesa e rikthimit të pronës për ata që u prekën nga konflikti pengon procesin e kthimit dhe ndikon negativisht mbi të drejtat e njeriut e të gjitha komuniteteve të Kosovës, posaçërisht të komunitetit serb të Kosovës dhe të komuniteteve tjera joshqiptare”, thotë raporti.

Sipas të njëjtit raport, zgjidhja e kërkesave pronësore që lidhen me konfliktin është një proces i domosdoshëm që ndikon shumë në qëndrueshmërinë e një shoqërie pas konfliktit. “Në të vërtetë, rikthimi i pronave private, që u humbën si pasojë e konfliktit, është e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, posaçërisht të së Drejtës për Gëzim në Paqe të Pasurisë dhe të Drejtës për Banim”.

Sipas këtij raporti, riuzurpimi i pronave pas dëbimit të uzurpatorëve nga Agjencia Kosovare e Pronës ka qenë një problem i vazhdueshëm gjatë zbatimit të procesit të riposedimit të pronës. “Ndonëse Policia e Kosovës e ndihmon rregullisht AKP-në në procedurat e dëbimit, ka raste kur Policia dështon t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ndaj këtyre uzurpatorëve ilegalë, të cilët hynë në pronat banesore pas dëbimit të parë të kryer nga AKP-ja”, ceket në raport.

Të uzurpuara nuk janë vetëm banesat e serbëve

Raporti rekomandon Qeverinë e Kosovës të sigurojë ofrimin e mbështetjes së nevojshme për AKP-në në zbatimin e mandatit të saj dhe të bëhen fushata të vetëdijesimit për të ulur shkallën e riuzurpimit të pronave, të cilat janë liruar pas dëbimeve.

“Të zhvillojë kornizën normative duke themeluar metodën e llogaritjes dhe të pagesës së kompensimit të individëve, të cilët kanë të drejtë në kompensim në para për humbjen e të drejtave pronësore, që u takojnë ligjërisht”, thuhet në atë raport.

Por nuk janë vetëm objektet banesore të uzurpuara. Është edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës ajo që nuk i ka mirë të “definuar” kufijtë e saj.

Ish-drejtori i kësaj Qendre, Ali Sadriu, kishte ngritur çështjen e uzurpimit të gjashtë hektarëve tokë të QKUK-së. Por, për këto hapësira më nuk po flitet. Veprimet e fundit që kanë bërë zyrtarë të QKUK-së ndërlidhen me kërkesën drejtuar Komunës në lidhje me qartësimin e “kufijve” të Spitalit.

Sipas një certifikate të pronësisë, që kryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Xhemajl Selmani ia ka ofruar stafit të “Zërit”, QKUK-ja ka afër 40 hektarë. Këtë dokument Selmani ka thënë se Sindikata ia ka ofruar edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, por edhe udhëheqësve të Komunës së Prishtinës.

Por, pavarësisht se sa hektarë tokë figurojnë në këto certifikata, Selmani ka thënë se prej gjashtë deri në dhjetë hektarë tokë të Spitalit dyshohet se janë uzurpuar.

“Dokumentacioni flet se QKUK-ja i ka pasur 42.82 hektarë tokë dhe aktualisht ka maksimumi 35 hektarë”, ka thënë Selmani.

Sipas tij, kufiri i tokës së ish-Fakultetit të Mjekësisë ka qenë skaj rrugës së asfaltuar. “Nga ‘Veterniku’ e kah Rrethi i Spitalit, nga EULEX-i dhe të gjitha shtëpitë, barakat, Spitali Amerikan, Ndihma e Shpejtë, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, stadiumi, objekti që është ndërtuar dhe që është në shfrytëzim nga INTEREX-i, parkingjet janë tokë e Fakultetit të Mjekësisë të cilën tani e menaxhon Komuna”, ka thënë Selmani. 

Image
Image