Ekskluzive: Si u tentua të parandalohet ekstradimi i Ardit Ferizit në SHBA me një raport të dyshimtë mjekësor (Dokument)

Aktuale September 30, 2016 - 21:57

Tre ditë pasi shtetasi i Kosovës, Ardit Ferizi, ishte arrestuar në Malajzi, Ambasada e SHBA’ve në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës pranuan një dosje nga babai i tij, Naim Ferizi, në kuadër të së cilës ishte edhe letër-rekomandimi i lëshuar nga Reparti Psikiatrik i Spitalit Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”. Aty, Ilir Grezda, shef i këtij Departamenti , kërkon kthimin e të riut në Kosovë për trajtim të mëtutjeshëm, edhe pse nuk e kishte kontrolluar për dy vjet. Gazeta Express sjell vlerësimet e dyshimta mjekësore, që nga familja e terroristit kosovar, të dënuar me 20 vjet burg në SHBA u tentua të përdoren për të pamundësuar ekstradimin e tij në SHBA

Agresiv, insomniak (pagjumësia), me dhimbje koke dhe me halucinacione, kështu përshkruhet në një raport mjekësor gjendja psikike e Ardit Ferizit , hakerit terrorist nga Gjakova, vetëm tri ditë pasi ishte arrestuar nga policia e Malajzisë në aeroportin e Kuala Lumpurit.  

Shtatë ditë më parë, më 23 shtator, Ferizi u dënua me 20 vite burg nga një gjykatë në SHBA për krime kibernetike dhe terrorizëm njëkohësisht. 

Mirëpo, para dy vjetësh, psikiatri Ilir Grezda, shef i Departamentit të Psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës, kishte vlerësuar se Ferizi në fakt është një “djalë inteligjent” dhe se nuk vuante prej sëmundjeve të lartpërmendura. 

Raporti i fundit u lëshua vetëm për ta ndihmuar Ferizin t’iu shpëtojë telasheve me shtetin amerikan. 

Gazeta Express posedon të gjitha raportet e lëshuara nga psikiatri, Ilir Grezda. Diagnoza e dhënë për Ferizin, para dhe pas arrestimit janë diametralisht të kundërta. Dallimi shkon deri në pikën ku ai fillimisht u vlerësua si djalë inteligjent dhe i vetëdijshëm për veprimet e tij e deri në një person që vetëm pasi të arrestohet, duhet patjetër të kthehet në shtëpinë e tij, “për shkak të gjendjes së përkeqësuar psikike”. 

“(Ardit Ferizi)...të vijë për një kontroll psikiatrik të specialistit, për trajtime të mëtutjeshme, shërbime psikologjike deri në stabilizimin e gjendjes së tij psikike”, thuhet në raportin e fundit me datë 18 shtator 2015, raport ky që babai i Arditit, Naim Ferizi e siguroi nga Dr. Grezda. 

Ky i fundit tash e pranon që raportin prej specialisti e lëshoi pa e kontrolluar fare Ferizin, “vetëm me e ndihmu” bashkëqytetarin e tij që atëkohë u arrestua me kërkesë të FBI-së, (Byrosë Federale Amerikane të Hetimeve).  

Kjo diagnozë ishte pjesë e një dosje që babai i Arditit, Naim Ferizi e dërgoi në ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, tri ditë pasi Arditi ishte arrestuar në Malajzi, ku studionte për shkenca kompjuterike. 

Për disa vjet, Ardit Ferizi ishte bërë tmerri i mediave dhe faqeve të internetit të zyrtarëve shtetërorë. 

Para se të arrestohet me kërkesë të SHBA-ve, ai kishte kryer sulme kibernetike ndaj Hashim Thaçit, tash president i Kosovës, Vlora Çitakut, ish Ministrja e Integrimeve evropiane, tash Ambasadore e Kosovës në Uashington, si dhe kishte atakuar e bllokuar disa herë Gazetën Express, faqen e internetit të Zërit dhe disa mediave të tjera të mëdha të Kosovës. Ai i urrente mediat që hulumtonin duke zbuluar veprimet e imamëve dhe grupeve ekstremiste islame në Kosovë.  

Në shtator të vitit 2013, kohë kur ishte shumë aktiv në këto krime, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me urdhër të Prokurorisë ishte dërguar te psikiatri, për kontrolle. Atëkohë, Dr. Ilir Grezda i kishte dërguar vlerësimin e tij profesional Prokurorisë Themelore të Gjakovës duke i thënë se ”ishte i vetëdijshëm për veprimet që kishte kryer dhe se kishte inteligjencë shumë të zhvilluar”. 

Raporti i parë thoshte që megjithatë Ferizi ishte i mbyllur, agresiv, shumë i frustruar. 

Gazeta Express e posedon edhe këtë raport të datës 11 shtator 2013, porse për shkak të ruajtjes së të dhënave të pacientit, ne kemi vendosur të mos e publikojmë të plotë kopjen e siguruar. 

Por, krejt e kundërta e kësaj diagnoze thuhet në letër-rekomandimin e të njëjtit psikiatër, Ilir Grezda, të lëshuar pas dy vjetësh. Aty ai kërkonte që Ferizi të kthehej nga Malajzia, ku ishte arrestuar, pasi vuante nga shumë sëmundje psikike. 

Image