Analistët - Kurtit: Lufta ka përfunduar

Aktuale September 22, 2016 - 08:16

Deklarata e ish-liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, se ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi do të mundë të nxiste një luftë me shtetin fqinj, vlerësohet si e pamatur, joserioze për të tentuar të ngjallë frikë te pushteti.

Analisti politik Halil Matoshi i quan joserioze deklaratat e Kurtit se demarkacioni mund të nxisë luftë mes Kosovës e Malit të Zi. Sipas tij, jo vetëm Kurtin, por secilin që shfaqet me retorika luftënxitëse të shekullit të kaluar nuk duhet marrë seriozisht, sepse, siç thotë ai, as ai nuk e ka seriozisht. “Ai po mësyn të shkaktojë frikë te pushteti dhe të mobilizojë njerëz për kauzat e tij shpesh të paqarta, mirëpo ato thjesht janë retorika të forta dhe në thelb boshe. Mali i Zi e ka njohur shtetin kosovar dhe marrëdhëniet mes dyja shteteve janë solide dhe besoj se kontesti aktual rreth demarkacionit nuk do të ndikojë në fqinjësinë e mirë”, ka thënë Matoshi, duke shtuar se Kurti kësaj radhe ka bërë marrëzi.

“Unë do ta mbroj Kurtin dhe Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ sa herë që ka të drejtë në përballje me pushtetin, porse këtë herë më duhet t’i them se ka bërë një marrëzi!”, ka theksuar ai. Matoshi i ka rikujtuar Kurtit se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në NATO dhe se Shqipëria ka vendosur që të votojë pro anëtarësimit të saj në organizatën veriatlantike.

“Pra, Kurti e di se në rast të ndonjë kërcënimi me luftë të ndonjë shteti anëtar sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s organizata obligohet të reagojë si e tërë. Po ashtu Kurti e di se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është në interesin strategjik të shqiptarëve, sepse i bëhet edhe një mburojë Adriatikut nga apetitet ruse për të dalë në ujërat e tij”, është shprehur ai, duke i kërkuar ish-liderit të LVV-së, që të ofrojë alternativa më të mira qeverisëse, sepse “nuk i ka rendet për luftë”!.

“Fundja cilën ushtri do ta aktivizonte ai në këtë rast? Kurti së pari duhet të angazhohet në Kuvendin e Kosovës ku është i zgjedhur deputet që Kosova të bëhet me ushtri dhe po ashtu të angazhohet pareshtur për paqe e mirëkuptim në rajonin tonë, i cili asnjëherë në histori nuk ka jetuar këso ditësh në paqe dhe stabilitet”, ka shtuar Matoshi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se nuk mund të ketë luftë mes Kosovës e Malit të Zi, porse një luftë civile mund të ndodhë në Kosovë. “Nëse miratohet demarkacioni ka rrezik për luftë civile në Kosovë, por jo me Malin e Zi. Mali i Zi nuk merr territor të Kosovës me dhunë. Çfarë faji ka Mali i Zi nëse Qeveria e Kosovës i dhuron territore?”, ka thënë Spahiu.

Ndërsa, në anën tjetër zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka kërkuar nga Kurti që ta tërheqë kërcënimin me luftë ndaj shtetit fqinj. “Nëse do të ishte politikan i përgjegjshëm, Albin Kurti do të duhej që menjëherë të kërkonte falje publike dhe të tërhiqte kërcënimin e tij me luftë drejtuar një shteti mik dhe fqinj, pra ndaj Malit të Zi”, ka thënë Gecaj për “Zërin”.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron paqe me fqinjët e jo luftë. “Ne jemi për paqe me shtetet fqinje dhe mendojmë që në këtë rast fajtore është Qeveria e Kosovës e cila ka nënshkruar një përkufizim të vijës së demarkacionit të tillë. Më e mira do të ishte që të tërhiqet Marrëveshja, të anulohet, të shkarkohet komisioni shtetëror dhe të fillojnë negociatat e reja me Malin e Zi, të cilët kanë paraqitur gatishmëri për të rishikuar demarkacionin”, ka theksuar nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, për “Zërin”, duke shtuar se tërësia territoriale e Kosovës është e paprekshme dhe askush nuk guxon të falë ose të shesë territor të Kosovës.