Kurti: Edhe SHBA-të gabojnë (VIDEO)

Aktuale September 22, 2016 - 08:12

Albin Kurti mendon se SHBA-të kanë të drejtë kur thonë se Kosova duhet të ketë kufi të demarkuar me Malin e Zi, mirëpo, sipas tij, hollësitë e marrëveshjes janë punë e shtetit të Kosovës dhe popullit të saj. Megjithatë, siç thotë ai, edhe SHBA-të bëjnë gabime

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pasur të drejtë kur thonë se Kosova duhet të ketë kufi të demarkuar me Malin e Zi, mirëpo hollësitë e marrëveshjes janë punë e zotit të shtëpisë, që është shteti i Kosovës dhe populli i saj. Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Zëri”.

Megjithatë, ai është shprehur kundër mitizimeve dhe idealizimeve. “Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë gabime. Obama ka thënë se Bushi ka gabuar. Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara thotë që ka gabuar presidenti paraprak. Normal njerëzit gabojnë, madje ka njerëz që kanë qëllime partikulare. Ne duhet t’i krijojmë marrëdhëniet shumë të fuqishme me SHBA-të, përkundër kritikave sporadike për zyrtarët e saj”, ka pohuar Kurti, duke shtuar se deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë duhen dëgjuar si këshilla e jo si urdhra.

Gjatë pjesës së dytë të intervistës, Kurti mes tjerash thotë se nuk mund të krijohet kombi kosovar dhe shpreh besimin se shumë më i fuqishëm është identiteti gjakovar, drenicas apo llapjan sesa kosovar, por, siç thotë ai, shqiptar është mbi të gjitha.

Dëshira të Prokurorisë, pa fakte të Policisë

Zëri: Policia ka thënë se ka dëshmi që aktivistë të LVV-së e kanë sulmuar Kuvendin?

Kurti: Unë nuk kam parë dëshmi të tilla. Nga dëshmitë që ka ofruar Prokuroria, unë kam parë dëshira të Prokurorisë dhe jo fakte të Policisë. Përkundrazi edhe Prokuroria ka treguar që nuk ka pasur fakte dhe nuk është e rastësishme që tre prej tyre janë lëshuar në arrest shtëpiak, për shkak se ky është një proces i montuar dhe i papërgatitur mirë. Pra, jo vetëm që është proces i montuar politik, por është edhe i papërgatitur mirë. Në njërën anë kemi një medium publik, i cili sillet si polici private dhe në anën tjetër kemi një polici publike, e cila sillet si medium privat. Sulmohemi në konferenca shtypi të Policisë, ndërkohë që na lexohen aktakuza në mbrëmje në RTK. E tash me të vërtetë në këtë situatë të “Pronto 2-shit” njerëzit janë të ndarë në dy grupe, në ata që mendojnë se Radiotelevizioni i Kosovës është medium i kunatave dhe në ata që mendojnë se Radiotelevizioni i Kosovës është Televizion i Kadrisë. Unë mendoj që të dyja grupet kanë të drejtë dhe dallimi në mes tyre është i vogël.

“Enver Hasani i keq, Enver Hasani i mirë”

Zëri: Në të kaluarën e keni kritikuar ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasanin, duke e quajtur madje edhe gjyqtar të PDK-së, a ka ndryshuar qëndrimi juaj për të pas qëndrimeve të tij për Demarkacionin apo ka ndryshuar Hasani?

Kurti: Nuk ka ndryshuar qëndrimi im për vendimet e tij, por ka ndryshuar pozita e tij. Ai nuk është më kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe pse duhet të merrem tash me të.

Zëri: Është i njëjti person i cili ka marrë vendime të dëmshme, siç keni thënë, për koalicionin opozitar?

Kurti: Kjo tregon që ai mendon shumë më drejt kur nuk është në pozitë, kur është në pozitë të qytetarit e të profesionistit sesa kur është në pozitë zyrtare. Mendoj që kjo është edhe një dëshmi se shteti i Kosovës është shtet i kapur, sepse njerëzit në shtetin e kapur janë njerëz të kapur. Enver Hasani në pozitën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese profesionalizmin dhe patriotizmin i ka pasur në rend të tretë, ndërsa tash kur nuk e ka atë detyrë, kur është shkëputur nga kapja e shtetit dhe shteti i kapur ka treguar që i kthehet qëndrimeve në përputhje me studimet dhe gradat shkencore që i ka marrë.

Republika e ndihmon bashkimin

Zëri: Po proklamohet ideja se shteti i Kosovës nuk mundet apo nuk duhet të ekzistojë, a e keni edhe ju këtë qëndrim?

Kurti: Asnjë aktivist i “Vetëvendosjes” nuk mendon se shteti i Kosovës nuk duhet të ekzistojë, por besojmë që shteti i Kosovës duhet të fuqizohet drejt së drejtës, drejt realizimit të së drejtës për bashkimin me Shqipërinë. Ne e dimë që Kosova i është marrë Shqipërisë dhe ne besojmë që këto dyja duhet të bëhen bashkë, i tillë është edhe vullneti i popullit e interesi i vendeve tona. Nuk e shohim bashkimin me Shqipërinë në kurriz të Kosovës, por e shohim si shprehje të lirisë së Kosovës. Pra bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është shprehje e lirisë. Neni 1.3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është i padrejtë dhe në dëm të shqiptarëve. Ne këtë e themi hapur, saktë dhe qartë. Pra, me idenë e bashkimit bëhet republika dhe nëpërmjet republikës do ta bëjmë bashkimin. Një ndër teoricienët kryesorë në traditën tonë të mendimit filozofiko-politik shqiptar, profesor Ukshin Hoti, ka thënë që republika dhe bashkimi kombëtar nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Republika të ndihmon për bashkim, bashkimi të ndihmon për republikë.

Zëri: Në bazë të kësaj që thoni a duhet të ekzistojë shteti i Kosovës?

Kurti: Shteti i Kosovës tash është shtet i kapur, jodemokratik, pa zhvillim ekonomik, pa integritet territorial e sovranitet, me shumë krim e korrupsion. Ne jemi që Kosova të bëhet shtet i pavarur, sovran, demokratik, me punësim e mirëqenie dhe me të drejtën për t’iu bashkuar Shqipërisë dhe më pastaj le të organizojmë referendumin. Në referendum “Vetëvendosja” do të bëjë fushatë për votën “për”, dikush do të dalë e do të bëjë fushatë për votën “kundër” dhe le ta shohim rezultatin. Ne këtë e shohim si bashkim demokratik. Ne nuk duam ta imponojmë bashkimin, por ne besojmë që është e padrejtë të na ndalohet e drejta. Duhet të ketë referendum dhe fushatë për këtë gjë, duhet ta shohim se kush po fiton. Nëse qytetari vendos kundër bashkimit me Shqipërinë do të vazhdojmë të jetojmë në Republikën e Kosovës, e cila nuk e miratoi bashkimin me Shqipërinë. E kishim rastin e Skocisë, për 6% nuk u bë shtet i pavarur. Duhet ta kemi të drejtën për referendum dhe unë jam i sigurt për rezultatin që do ta kemi.

Zëri: A beson që do të funksionojë ky bashkim?

Kurti: Besoj që shteti i kapur i Kosovës po funksionon për një pakicë të pushtetarëve dhe të miqve të tyre familjarë e  biznesmenë. Shteti funksionon si republikë kur është shtet i shumicës. Mendoj që bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk do t’i eliminonte problemet, por do të na rriste resurset për zgjidhjen e tyre. Është shumë më lehtë të gjesh një ministër të mirë, një kryeministër të mirë, një akademik të mirë në mesin e 6 milionë banorëve sesa në mesin e 1.8 milion banorëve. Kur të bashkohet Kosova me Shqipërinë edhe për nga territori, edhe për nga popullsia, bëhemi përafërsisht sa Danimarka. Prapë nuk jemi një shtet i madh. Unë nuk jam i gatshëm që ta sakrifikoj asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë. Unë nuk e shoh bashkimin me Shqipërinë duke harruar veriun apo çfarëdo pjese të territorit.

Zëri: Pse keni frikë ta uroni Kosovën kur merr pjesë në gara ndërkombëtare?

Kurti: Do të mundë të keqpërdoret prej dikujt në kuptimin që disa njerëz gabimisht edhe rrezikshëm e besojnë identitetin e Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës si pavarësi ndaj Shqipërisë e jo ndaj Serbisë. Pra unë mendoj që është i rrezikshëm zëvendësimi dhe kompensimi psikologjik i disave për inferioritetin e tyre karshi Beogradit tash ta zëvendësojnë dhe kompensojnë me një lloj nervozizmi karshi Tiranës. Mendoj që inferioritetin që e kanë disa karshi Beogradit nuk duhet të rezultojë në Tiranë. Besoj që kur të bëhemi bashkë me Tiranën, çdo inferioritet karshi Beogradit eliminohet. Pra ka inferioritet karshi Beogradit, e vërej këtë prej theksit të dikujt kur e shqipton ndonjë emër serbisht e mundohet ta ketë me aksentin e Beogradit e deri te ajo që shumë më tepër sfidohen në emisione aktivistët e “Vetëvendosjes” sesa Gjuriqat, Vuçiqat e të ngjashëm. Pra ky është inferioritet karshi Beogradit. Mendoj që dinjiteti ynë, integriteti ynë njerëzor, personal, individual si shqiptar nuk është mjaftueshëm i restauruar karshi Beogradit. Seç ka njëlloj mendësie ndoshta edhe të pavetëdijshme të kolonizuar edhe më tutje. A e dini pse? Sepse pavarësia në Kosovë është realizuar pa të drejtën e vetëvendosjes dhe rrjedhimisht nuk është pasuar nga procesi i dekolonizimit. Ne kemi nevojë të dekolonizohemi. Tirana nuk ta bën si Beogradi. Tirana kurrë nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë Beograd. Përkundrazi, Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën. E pata takuar një veteran të luftës së Bonjës, një boshnjak, i cili më tha: A e dini pse ju nuk keni përfunduar si Bosnja, sepse gjatë luftës ju e keni pasur Shqipërinë, kurse ne boshnjakët Detin Adriatik. Ne jemi për një kombëtare të përbashkët, ne jemi për një ligë të përbashkët. Kur Kosova është bërë anëtare e UEFA-s dhe e FIFA-s ne natyrisht që e kemi uruar, mirëpo ne duhet të bashkohemi. Nga pikëpamja e këtij synimi sqarohen shumë gjëra. Tash kur dikush kritikon një aktivist të “Vetëvendosjes” pse po simpatizon vetëm për Kombëtaren shqiptare e jo edhe për Reprezentacionin e Kosovës. Unë do të mund ta konsideroj këtë si kritikë vetëm nëse edhe ai person është për bashkim. Mirëpo nëse ai person nuk është për bashkim, çka më kritikon mua.

Më kritikonin për gazin lotsjellës, ndërsa tashmë më duan

Zëri: Shumë njerëz e kanë kritikuar kryetarin e partisë tuaj Visar Ymerin që nuk e ka uruar Kosovën, por vetëm Shqipërinë?

Kurti: Edhe më i madh ka qenë numri i kritikuesve kur unë e kam hedhur gazin lotsjellës në seancë të Kuvendit për herë të parë, por tash krejt po më duan pas një viti. Ata thoshin a është normal ky deputet që hedh gaz lotsjellës në seancë të Kuvendit dhe me të vërtetë po ta mendosh kështu në mënyrë të thjeshtë thua çfarë është ky deputet që merr vota të qytetarëve e që hedh gaz lotsjellës në Kuvend, çfarë njeriu na qenka ky? Edhe mua atëherë më kanë sharë e më kanë fyer, më kanë akuzuar e kritikuar, por më pas ka rënë numri i tyre. Unë mendoj që ne e kemi kryetarin largpamës, pas një viti do të rikuptimësohen e do të rivlerësohen shumë gjëra.

Më i fuqishëm identiteti gjakovar se kosovar

Zëri: A po krijohet kombi kosovar?

Kurti: As nuk po krijohet dhe as nuk është i mundshëm për shkak të fuqisë së kombit shqiptar. Shqiptarët janë komb i fuqishëm, por me shtete të dobëta, përveç tjerash edhe për shkak se janë të ndarë. Serbët janë komb më i dobët se ne, por shtetin e kanë të fuqishëm, kjo është besoj marrëdhënia mes neve dhe serbëve në Ballkan. Mendoj që ata kanë shtet të fuqishëm e komb më të dobët se ne, ne kemi komb të fuqishëm, por shtete të dobëta. Kështu mendoj që nuk po mund të krijohet kombi kosovar, unë besoj që shumë më i fuqishëm është identiteti gjakovar, a drenicas e llapjan sesa kosovar, por shqiptar është mbi të gjitha.

Zëri: A mund të koekzistojë binomi shqiptar - kosovar?

Kurti: Po shiko, kur thuhet kosovar mendohet shqiptar i Kosovës nuk mendohet për komb të ri. Ne kemi nevojë për shtet të ri për kombin shqiptar e jo për komb të ri për shtetin e Kosovës.

Zëri: Vërehet një tendencë e rritjes së frymës antiamerikane në Kosovë. Kur e shohim në mënyrë globale edhe Gjermania apo Rusia nuk mund të punojnë pa bashkëveprim me Amerikën, a kemi ne një kapacitet të tillë që të rritet kjo frymë?

Kurti: Këtu unë i takoj një botëkuptimi tjetër. Kritika ndaj një zyrtari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe antiamerikanizmi janë gjëra krejtësisht të ndryshme. Ta kritikosh Christopher Dell-in nuk të bënë antiamerikan. Ju e dini çfarë i ka bërë “The Guardian”. Po të çohen krejt shqiptarët e ta kritikojnë Amerikën nuk mund t’ia bëjnë atë që ia ka bërë gazeta “The Guardian” Christopher Dell-it, ish-ambasadorit amerikan. Unë mendoj që nuk është e mundshme marrëdhënia me SHBA-të ose servilitet, ose armiqësi. Edhe ne jemi për partneritet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i gjithë Perëndimi është ndërtuar me mendim kritik, me metodë shkencore, me vetëkritikë dhe me kritikë të ndërsjellë. Ne në “Vetëvendosje” kritikohemi shumë, më së shumti kritikohen në “Vetëvendosje” anëtarët e Kryesisë në mes vete dhe me deputetë, edhe deputetët në mes vete. Kjo nuk do të thotë se jemi kundër njëri-tjetrit. Kritika të përmirëson. Mungesa e kritikës është ose injorancë, ose frikë dhe ne nuk jemi as injorantë dhe as frikacakë.

Zëri: Nuk është në pyetje vetëm Dell-i, është një numër i shqiptarëve që po luftojnë krah ISIS-it, e cila është organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-të. E dyta, ambasadori i SHBA-së është përfaqësuesi i SHBA-së në Kosovë, e përfaqëson politikën e këtij shteti?

Kurti: Nuk ka njeri të përsosur. Unë jam kundër mitizimeve dhe idealizimeve. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë gabime. Obama ka thënë se Bushi ka gabuar, kur presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara thotë që ka gabuar presidenti paraprak. Normal njerëzit gabojnë, madje ka njerëz që kanë qëllime partikulare. Ne duhet t’i krijojmë marrëdhëniet shumë të fuqishme me SHBA-të pavarësisht kritikave sporadike për zyrtarët e saj. Pra, marrëdhënia nuk është e qëndrueshme nëse një kritikë e rrezikon atë. Jo, jo unë jam që ne të kritikohemi dhe më të fuqishme ta kemi marrëdhënien me SHBA-të. Një qeveri e Lëvizjes “Vetëvendosje” në të ardhmen do të zhvillonte takim pune me SHBA-të se si ne t’i çojmë të rejat dhe të rinjtë tanë në Citadell dhe në West Point për ta bërë FSK-në ushtri. Aktualisht më duket dy kanë shkuar dhe kam dëgjuar se njëri nuk është kthyer. Nuk e di sa është e saktë. Pra ne duhet ta mbushim në substancë marrëdhënien tonë shtetërore. Unë mendoj që neve na duhet një marrëdhënie shumë më e fuqishme me SHBA-të edhe në aspektin ushtarak, edhe në aspektin ekonomik, edhe në atë ideor.

Zëri: Nëse na thotë zëvendëspresidenti i SHBA-së votojeni Demarkacionin, bëjeni Asociacionin, luftojeni korrupsionin, pse ne si Kosovë nuk duhet t’i dëgjojmë këto këshilla?

Kurti: Po pra duhet t’i dëgjojmë si këshilla e jo si urdhra. Unë mendoj që SHBA-të nuk janë të interesuara që Kosova të mbetet një vend i gjymtë që vetëm zbaton urdhra. SHBA-të të japin këshilla prej miku, por në fund të fundit ti e di më së mirë se çka është më së miri për shtëpinë tënde. Në këtë kuptim mendoj që kemi pasur sugjerime të ndryshme të ndërkombëtarëve që nuk janë përfillur. E mbani në mend kur pati qenë puna e privatizimit të PTK-së nga AXOS-i, tre ambasadorë patën bërë letër të përbashkët ku na thoshin shiteni postën. Nuk ndodhi. Ditë e natë ambasadorët kanë thënë luftojeni korrupsionin, as kjo nuk ka ndodhur. Kanë thënë edhe kalojeni “Zajednicën” e Demarkacionin, as këto nuk kanë ndodhur, veçse për këtë të fundit duhet të them që kanë thënë se duhet ta bëni demarkacionin dhe nuk kanë thënë marrëveshjen e Murat Mehës, të nënshkruar më 26 gusht nga Thaçi e Hyseni duhet ta kaloni se nuk bën. Unë pra mendoj që ata kanë pasur të drejtë duke thënë se Kosova duhet të ketë kufi të demarkuar me Malin e Zi, mirëpo për hollësitë e asaj marrëveshjeje, ato janë punë të shtëpisë, për të zotin e shtëpisë që është shteti i Kosovës dhe populli i saj. Mos e harroni tani edhe fjalën tjetër të ambasadorit amerikan që e tha: Sido që të votoni, ne mbesim miq. Do të thotë nuk ka pasur deklarata të njëvlefshme dhe po mendoj që edhe SHBA-të janë duke provuar të na ndihmojnë që të na japin këshilla, ama ju e dini më së miri. Me vetë faktin që ambasadori amerikan del edhe thotë se do të vazhdojmë të mbesim miq, kjo do të thotë unë po ta jap këshillën, por vëre gishtin në kokë e kushtoi vëmendje çështjes sepse në fund të fundit ti e ke shpallur veten të pavarur e sovran, cili është kuptimi që e shpall veten të pavarur dhe sovran dhe zbaton urdhra deri në detaje.

Zëri: Në të gjitha subjektet politike flitet për të fortit e partisë, a është Rexhep Selimi i forti i “Vetëvendosjes”?

Kurti: Rexhep Selimi ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, Rexhep Selimi është arrestuar nga Policia, Rexhep Selimi ka qenë luftëtar i fuqishëm dhe shumë mirë që ka qenë. Dhe unë do të thosha që është i vetmi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së të cilin Thaçi e Veseli nuk e kanë futur nën thundrën e tyre, prandaj mendoj që e sulmojnë  në mënyrë të posaçme. Nuk mund të krahasohet ai me ata të “Pronto 2-shit”.

Zëri: Policia disa herë nuk e ka arrestuar, përveç kësaj përderisa flitet për uzurpimet, sipas AKP-së, vëllai i tij ka ndërmarrje të uzurpuar?

Kurti: Ne të gjithë kemi pasur konflikte me policë, ka pasur edhe Rexhep Selimi. Por këto nuk janë konflikte personale, janë ballafaqime politike, ne e mbrojmë një qëllim e një synim, ndërkohë që na e ndërsejnë. Ai e ka deklaruar pasurinë e tij dhe mendoj që në një shtet të kapur sikurse Kosova, ku Prokuroria e gjyqësia janë degë të Qeverisë e kurrsesi mekanizma të pavarur shtetërorë, por të kishin parë keqpërdorim ose korrupsion te Rexhep Selimi ose vëllezërit e tij tashmë ata do të ishin në burg.

LVV-ja, e para në zgjedhje

Zëri: A janë zgjedhjet e parakohshme dalje nga kjo krizë?

Kurti: Besoj se zgjedhjet e parakohshme janë më shumë se zgjedhje, janë domosdoshmëri. Nuk mund të vazhdojmë tutje me një Qeveri e cila ka ngecur dhe sa më parë që mbahen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë.

Zëri: Kur preferoni të mbahen?

Kurti: Ne preferojmë në vjeshtë dhe jo në atë të vitit të ardhshme kur do të mbahen zgjedhjet lokale, por në vjeshtën e këtij viti.

 Zëri: Në rast se shkohet në zgjedhje, çfarë rezultati do të mundë të kishte “Vetëvendosja” tani?

Kurti: “Vetëvendosja” del e para në zgjedhje.