Për 6 muaj, 109 policë nën hetime
Që nga fillimi i këtij viti një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë qenë nën llupën e Hetuesisë së Inspektoratit Policor.
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë 109 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, apo marrë në përqindje 1,2 për qind e Policisë janë hetuar për kryerjen e veprave penale.
Ndërsa, nga ky numër i të hetuarve si rezultat i gjetjeve nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor, ky institucion ka rekomanduar suspendimin e 24 prej tyre.
Ndonëse Policia e Kosovës është një ndër institucionet më të besueshme në nivel vendi, një numër i madh i ankesave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë shkuar në drejtim të Inspektoratit Policor.
Gjatë kësaj periudhe kohore IPK-ja ka pranuar plot 628 ankesa, ku në 390 ka pasur mungesë të elementeve të veprave penale dhe ato janë dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë si shkelje disiplinore.
Sipas zëdhënësit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, gjatë gjashtë muajve të fundit Inspektorati Policor si rezultat i ankesave ka hetuar 88 raste me elemente të veprës penale.
“...Si subjekt i hetimeve kanë qenë 109 punonjës të Policisë së Kosovës ose kthyer në përqindje 1,2% të punonjësve të Policisë së Kosovës. Si pjesë e procedurave administrative, për shkak të mospengimit të procedurës hetimore, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 IPK-ja ka rekomanduar suspendimin për 24 punonjës të Policisë së Kosovës”, ka thënë Beka.
Sipas tij, numri i ankesave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është i njëjtë me ato të vitit të kaluar.
“Trendi i ankesave është i ngjashëm me atë të vitit të kaluar dhe nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar. Veprat më të shpeshta të cilat i heton IPK-ja në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë: ‘Rrezikim i trafikut publik’, ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Lëndime të lehta’, ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve’, etj. Të gjitha rastet penale që hetohen nga IPK-ja në koordinim dhe udhëheqje nga prokurori i Shtetit dorëzohen te i njëjti me kallëzime penale e pastaj në gjykatat kompetente”, bën të ditur Beka.
Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Kasolli, ka thënë se këto shifra të policëve të cilët kanë qenë nën hetime janë vërtet shifra të mëdha.
“Ne kemi njohuri për këto shifra dhe konsiderojmë se është një shifër e madhe. Megjithatë, të dhënat që i kanë Inspektorati duhet të shqyrtohen hetimet, mirëpo duhet ta cekim se kemi edhe raste për kundërvajtje të cilat janë futur me një listë të hetimeve, kështu që shumë prej tyre përfundojnë shumë shpejt. Sidoqoftë hetimet duhet të vazhdohen dhe konsiderojmë që vitet tjera do të kemi raste më të vogla të hetimeve. Duhet ta kemi parasysh se janë do raste shumë të imta, të cilat ne propozojmë dhe kemi propozuar që të merremi me hetimet tona të brendshme, siç janë standardet e Policisë, që këto raste të mos shkojnë te Inspektorati. Ne e konsiderojmë se do të ketë ndryshime të hetimit ndaj policëve vitin e ardhshëm”, ka thënë Kasolli.
Ai ka thënë ata si Sindikatë e Policisë së Kosovës kanë propozuar që me disa rate të ulëta më tepër të merret inspektimi i brendshëm i tyre, siç është Drejtoria e Standardeve Profesionale, duhet të trajtohen brenda kësaj Drejtorie, ndërkaq, rastet e rënda duhet të shkojnë për trajtim në Inspektoratin Policor të Kosovës.