Opozita i thotë 'Po' thirrjes së Mustafës

Aktuale September 19, 2016 - 08:06

Derisa partia më e vogël e opozitës, “Nisma”, e konsideron “tradhti” takimin e ri me Qeverinë për çështjen e kufirit, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në takimin e ardhshëm, Demarkacioni përfundimisht do të konstatohet i vdekur. Kryeministri Mustafa ka thënë se në fillim të tetorit do të takohet me opozitën për ratifikimin e Marrëveshjes

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë pranuar që t’i përgjigjen thirrjes eventuale të kryeministri Isa Mustafa, për të debatuar edhe një herë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Derisa partia më e vogël e opozitës, “Nisma” thotë se debati i ri për kufirin është një lloj tradhtie, AAK-ja dhe LVV-ja thonë se në këtë takim përfundimisht Demarkacioni do të konstatohet i vdekur dhe do të ecet përpara me proces të ri.  

Kryeministri Mustafa ka deklaruar se jo më larg se në fillim të muajit tetor, pritet të nisë një raund i ri bisedimesh rreth përafrimit të qëndrimeve mbi kufirin me Malin e Zi.

Ai tha se ratifikimi i Demarkacionit do të kryhet brenda muajit të ardhshëm përkundër faktit se paraprakisht u ka bërë thirrje opozitës për bisedime. Megjithatë, Mustafa ka thënë se me këtë ftesë do t’i jepet mundësi e dytë të gjithëve për sjelljen e fakteve rreth mëdyshjes së vijës kufitare me Malin e Zi.

“Unë e kam bërë këtë ftesë. Ky takim mund të bëhet pasi unë t’i marr të gjithë informatat nga kryetarët e komunave. Po ashtu takime jam duke bërë edhe me banorët e atyre anëve. Në fillim të tetorit do ta takoj opozitën dhe t’i qesim të gjitha faktet e që ne do të shohim se si t’ia bëjmë. Unë nuk konsideroj që marrëveshja të riprocedohet, por që ne deri më tani nuk kemi fakte që e thonë të kundërtën. Ne duhet të ulemi edhe t’i qesim faktet edhe një herë. Kjo zvarritje na pengon, si në liberalizmin e vizave e që deri më tani jemi dëmtuar shumë”, ka thënë Mustafa.

Opozita pranon takimin, e konsideron të vdekur Marrëveshjen

Për këtë ftesë të kryeministrit Mustafa, opozita po del me qëndrim pozitiv duke iu përgjigjur asaj. Tri partitë opozitare kanë deklaruar se do të marrin pjesë në takim me kryeministrin kur është fjala për kufijtë e vendit.

Madje ata thonë se nuk do të lëshojnë pe deri në kthimin në pikën zero të marrëveshjeve.  Lëvizja “Vetëvendosje” konsideron se takimet e mëhershme si dhe takimi i ardhshëm e kanë të njëjtin qëllim dhe qëndrim.

Nënkryetarja e këtij subjekti politik, Aida Dërguti, në pyetjen e “Zërit” i është përgjigjur se do të takohen me kryeministrin nëse marrëveshjet kthehen në pikën zero.

Dërguti ka thënë se reflektimi ndaj këtyre dy marrëveshjeve do të ishte shumë i mirë dhe i duhur për vendin.

“Unë besoj që takimin që kemi pasur edhe më herët, ka pasur të njëjtin qëllim. Ka mbetur një draft-ligj për të cilin nuk jemi pajtuar të shqyrtohet. Sigurisht që do të ketë takim liderësh javën e ardhshme, ndërkaq ne i kemi paraqitur disa vërejtjeve tona të cilat ishin dashur të rishikohen. Nëse ka reflektim, dhe nëse kthehen marrëveshjet në pikën zero, për të mirën e vendit ne do të ulemi dhe të bisedojmë”, ka thënë Dërguti.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e qëndrimit se kthimi në pikën zero do të ishte i mirëpritur për opozitën. Ndërkaq, sa i përket ftesës së kryeministrit Mustafa, AAK-ja i thotë “po” një takimi të tillë pasi që demarkacioni shqyrtohet përsëri.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për gazetën “Zëri”, ka thënë se ftesat me pretekst legjitimimin e Marrëveshjes do të refuzohen.

“Përgjigjja jonë për kryeministrin lidhur me deklarimin e tij për mundësinë e një takimi gjithëpërfshirës është: Do të uleshim në një takim të tillë vetëm pas vendimit që Marrëveshja (e demarkacionit) e cila do të ishte temë diskutimi, do të kthehet në pikën zero. Ndryshe të gjitha këto ‘ftesa’ i marrim vetëm si pretekst dhe tendencë për të legjitimuar diçka që është e papranueshme për ne si opozitë, por edhe për qytetarët e Kosovës përgjithësisht”, ka thënë Lekaj.

Berisha: Është tradhti nëse bisedohet me Isa Mustafën

Ndërkaq, deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, i ka thënë “Zërit” se nuk është e drejtë t’i përgjigjet opozita ftesës së kryeministrit Mustafa. Berisha thotë se është tradhti e elektoratit nëse bisedohet për demarkacionin, pasi që, sipas tij, kjo Marrëveshje është në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

“Mund të jap mendim timin personal, kjo është tallja e radhës e Isa Mustafës. Është tradhti nëse opozita i përgjigjet kërkesës së injorantit të tillë. Pra është ofendim i elektoratit nëse ftesa merr përgjigje pozitive. Unë nuk i komentoj deklaratat e Isa Mustafës sepse ai është një injorant i madh e që po luan me të gjithë. Opozita mjaft ka dhënë fakte ndaj këtij procesi, andaj diskutimi është i papranueshëm”, ka thënë Berisha.