Ftesë për paqe

Aktuale September 13, 2016 - 08:06

Besimtarët myslimanë në Kosovë kanë festuar Kurban Bajramin me lutjet dhe urimet për paqe, dashuri dhe solidaritet ndaj njëri-tjetrit. Kjo festë është përcjellë edhe me urimet e politikanëve, shoqërisë civile, artistëve etj.

Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit është mbajtur dje në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ku u mblodhën qindra qytetarë. Kryemami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, në hydben e mbajtur, ka porositur që në këtë ditë të bekuar të bashkohen të gjithë zemrat e myslimaneve dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Ai tha se në këtë ditë feste dhe gëzimi, për popullin tonë simbol që gjithmonë na ka bashkuar ka qenë “sofra”, andaj bëri thirrje që të gjithë të bashkojnë sofrat duke i ndihmuar edhe ata që nuk kanë mundësi.

“Çdo festë mban në vete një mesazh dhe porosi të thellë, por festa e Kurban Bajramit është festë shumë e veçantë sepse mesazhe dhe porosi përçon jo vetëm përmes fjalëve por edhe përmes zemrave dhe veprave të njeriut… Prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhja e një gjaku, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica, morali dhe devotshmëria e besimtarëve”, tha Bajgora.

Kryeimami u kërkoi besimtarëve që sot të mos shohin vetëm sofrën e tyre, por të jenë zemërgjerë dhe të ndihmojnë të tjerët që sot nuk mund ta kenë të mbushur sofrën e tyre.

Urime të ndryshme kanë ardhur edhe nga liderët e ndryshëm politikë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministrat Avdullah Hoti, Skender Hyseni, Haki Demolli, Arban Abrashi, kryeministri Mustafa u ka përcjellë drejtuesve të Bashkësisë Islame urimet më të përzemërta për këtë festë të rëndësishme.

"Unë jam i lumtur që çdo Bajram po e kremtojmë në një gjendje më të mirë edhe shpirtërore edhe ekonomike dhe dëshiroj që të punojmë bashkërisht në mënyrë që njerëzit të ndihen mirë, dhe që bashkërisht t’i çojmë këto procese përpara”, tha kryeministri Mustafa, duke iu uruar të gjithë myslimanëve Festën e Kurban Bajramit.

Ndërkaq edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Të gjithë besimtarëve myslimanë të vendit tonë, urime festa e Kurban Bajramit. Mesazhi sublim i kësaj feste të shenjtë, përfaqëson vlerat për të cilat gjithmonë kemi nevojë, humanizmin, solidaritetin dhe paqen mes njerëzve”, është shprehur Veseli.

O’Conell uron festën në tri gjuhë

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O'Connell, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka uruar në tre gjuhë të gjithë besimtarët e fesë islame. Ai ka dëshiruar shëndet, paqe dhe begati për të gjitha familjet.

Urime pati edhe nga ish-presidentja Atifete Jahjaga. Ajo ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në festën e madhe të Kurban Bajramit.

Jahjaga ka shprehur solidaritet dhe ka uruar të jemi sa më shumë tolerantë. “Të gjithë besimtarëve myslimanë, urime festa e Kurban Bajramit! Uroj që në shtëpitë tona të mbizotërojë dashuria, paqja dhe harmonia”, thuhet në urimin e saj.

Don Lush Gjergji: Kurban Bajrami ka domethënie të madhe

Vikari gjeneral i Kosovës, Don Lush Gjergji, ka folur për festën e Kurban Bajramit. Ai ka qëndruar për një vizitë urimi në Bashkësinë Islame. Ai tha se festa e Kurban Bajramit është e vogël, por që ka një domethënie të madhe.

Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka qëndruar në Bashkësinë Islame për urime me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai ka uruar kreun e BIK-ut dhe të gjithë besimtarët e fesë islame.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame duke uruar çdo të mirë.

Ai ka qëndruar për urime në selinë e Bashkësisë Islame ku në mes tjerash ka thënë se kjo festë mbart me vete shumë mesazhe ideale e paqeje.