Përmendet demarkacioni, heshtet korrupsioni

Aktuale September 09, 2016 - 07:33

Zyrtarët e lartë shtetërorë e përmendin demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, por jo edhe luftimin e korrupsionit të profilit të lartë. Me aktakuza të ngritura janë disa bashkëpunëtorë të kryeministrit Mustafa dhe disa zyrtarë të lartë të partnerit qeverisës (PDK)

Subjektet politike vazhdojnë t’i mbajnë në pushtet zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët tash e një kohë janë nën hetime ose kanë aktakuza të ngritura nën dyshimet për krim të organizuar e korrupsion. E gjithë kjo në kundërshtim me kërkesën e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë tha se Kosova nuk ka mundësi të ecë përpara pa e luftuar korrupsionin. “Shpresoj ta kemi një Kosovë të fortë, demokratike dhe si anëtare të plotë të BE-së pa korrupsion”, tha Biden. Po ashtu kriter i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, përpos demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është edhe luftimi i korrupsionit të profilit të lartë. Ndonëse drejtuesit e koalicionit qeverisës vazhdimisht kanë thënë se personat që kanë probleme me ligjin nuk do të qëndrojnë në institucionet e Kosovës, disa zyrtarët të lartë ende vazhdojnë të mbajnë poste të larta në institucionet e vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës nën dyshimet se si person zyrtar, si deputet dhe si kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së gjatë vitit 2011 e tutje ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Kosovës.

Kurse kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është dënuar me dy vjet burg me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Rasti është në Gjykatën e Apelit.

Edhe kryetari i Komunës së Klinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Sokol Bashota, po përballet me aktakuzë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ndërsa ditë më parë ndaj kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është ngritur aktakuzë pasi dyshohet se ka zhvilluar aktivitet kriminal në dëm të pasurisë publike me rastin e një ankandi publik për dhënien në shfrytëzim të parkingjeve komunale.

Edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani, është duke u gjykuar për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në kohën sa ishte në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Osmani dhe gjashtë zyrtarët të tjerë të AKP-së dyshohen se votuan kundërligjshëm për lirimin e ndërmarrjes shoqërore të privatizuar “FAN” nga mbikëqyrja e AKP-së, në vitin 2012.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pranuar se luftimi i korrupsionit është edhe më tutje kriter për liberalizimin e vizave dhe se do të mbetet kriter për anëtarësimin e Kosovës dhe të çdo shteti tjetër në Bashkimin Evropian.

“Me dhjetëra aktakuza janë ngritur, me dhjetëra procese gjyqësore janë në gjykim e sipër dhe përkushtimi e vullneti i institucioneve të Kosovës është aty ku duhet të jetë. Mirëpo ne nuk mund të bëjmë presion te gjyqësori dhe as te Bashkimi Evropian, nuk mund të bëj presion te gjyqësori i Kosovës sepse po flasim për pavarësinë e gjyqësorit”, ka deklaruar Çollaku.

“Vetëvendosja”: Kryeministri shantazhohet me 70 dosje

Në anën tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Frashër Krasniqi, ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit është mbase çështja më e diskutuar tash e sa kohë dhe njëkohësisht çështja për të cilin s'është bërë asgjë, sipas tij.

“Kjo ndodh sepse në krim e korrupsion janë të përfshirë zyrtarë të lartë të pushtetit, të cilët nuk mund t'i ngrenë aktakuza vetes. Është vetë kryeministri që në Prokurori i ka 70 dosje dhe shantazhohet me to. Është fatkeqësi që njerëzit kryesorë të partive në pushtet janë të lidhur me krimin e të korruptuarit. Këta e kontrollojnë edhe sistemin e drejtësisë, prandaj për t'u hetuar këta ne duhet ta çlirojmë sistemin e drejtësisë”, ka potencuar Krasniqi.

Edhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se numri i vogël i aktakuzave në nivel lidhet me fuqinë individuale të njerëzve në pushtet e të cilët janë të përfshirë në krim të organizuar apo në korrupsion.

“Për fat të keq, shumë njerëz të përfolur ose të hetuar për korrupsion janë pjesë e kupolës politike të partive në pushtet. Besohet se secili veç e veç mund të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë dhe ngritja e aktakuzave individuale do ta rrezonte piramidën e njerëzve të përfshirë në korrupsion. Ky është elementi i parë”, është shprehur Nitaj.

Luftimi i korrupsionit, me kalkulime politike

Zëdhënësi i AAK-së më tej ka thënë se element tjetër është kalkulimi politik, si dhe ndikimi i pushtetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Gjithashtu ka një lloj konkurrence ose kalkulimi politik. Pothuajse është bërë standard që të hetuarit mundësisht të jenë nga forca të ndryshme politike, kjo në mënyrë që të krijohet një lloj balance. Ndërsa elementi i tretë dhe më i rëndësishmi është ndikimi që kanë partitë në pushtet në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, posaçërisht në Prokurori. Prandaj, në një situatë të tillë pothuajse është e pabesueshme që të presim aktakuza konkrete”, ka shtuar Nitaj, duke thënë se ideja e krijimit të një byroje nacionale të hetimit, ku do të kishin rol edhe ekspertë ndërkombëtarë, duket që po bëhet e domosdoshme.

Kurse sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se pushtetarët nuk po e përmendin shumë luftimin e krimit të organizuar e të korrupsionit si kusht për liberalizimin e vizave, pasi, sipas Sherifit, ata e dinë se ky kriter nënkupton arrestimin dhe dënimin e tyre.

“Qeveritarët po fshihen prapa demarkacionit dhe nuk flasin për kushtin kryesor për liberalizimin e vizave e që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit sepse ata shumë mirë e dinë se kjo luftë kërkon ‘kokat’ e tyre, ndërsa miratimi i këtij versioni të Demarkacionit kërkon tokat e Kosovës”, ka theksuar Sherif.

Ai gjithashtu ka thënë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit po mban peng jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe procesin e integrimeve evropiane në përgjithësi.