Gjakova nderon Nënë Terezën

Aktuale September 06, 2016 - 08:14

Duke e cilësuar si një moment kulminant për kombin shqiptar, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se shenjtërimi i Nënë Terezës e përfaqëson kombin shqiptar në piedestal. Ndërsa, vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjakovës, gjendet fshati Novosellë, fshat ky nga e kishte origjinën e ëma e Nënës Terezë. Ky fshat i vogël, por i madh në traditë dhe besim, është vendi i parë i cili e ka lartësuar në bronz figurën e të shenjtës Nënë Terezës deri sa ajo ishte gjallë. 

Qendra e qytetit të Gjakovës si rrallë ishte e stërmbushur. Qytetarë të shumtë kishin ardhur nga të gjitha anët për ta lartësuar dhe nderuar figurën e tanimë të shenjtës Nënë Terezës në qendër të këtij qyteti. Autoritete fetare dhe institucionale ishin mbledhur para bustit të Nënë Terezë për ta shprehur gëzimin dhe krenarinë e tyre për shenjtërimin e Gonxhe Bojaxhiut, bijës shqiptare e cila u shpall e shenjtë të dielën në Vatikan nga Papa Françesku.

Duke e cilësuar si një moment kulminant për kombin shqiptar, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se shenjtërimi i Nënë Terezës e përfaqëson  kombin shqiptar në piedestalin më të lartë të njerëzimit.

“Ky është një moment kulminant në historinë e kombit shqiptar, që tanimë nuk mund të themi vetëm për nënën tonë, Nënë Terezën, por ajo është shenjtorja e gjithë botës. Ajo ishte nënë e cila i ka shërbyer gjithë njerëzimit, pa dallime në fe, komb e racë. Konsideroj se ne si komb kemi pasur fatin dhe nderin e veçantë që ajo të jetë një prej nesh, duke na treguar që me punë, mund dhe dashuri mund t’i shërbejë gjithë botës”, tha ajo.

Nëna Terezë, letërnjoftimi shqiptar

Kusari-Lila tha se “ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe si komb, për arsye se kemi një shenjtore, por gjithashtu e kemi një letër identifikuese që një njeri na ka përfaqësuar në formën më të mirë të mundshme në piedestalin e njerëzimit”.
Me shenjtërimin e Nënës Terezë, populli shqiptar, sipas saj, duhet ta marrë me përgjegjësi punën e saj çdo ditë për forcimin e shteteve kudo që jemi.

Ndërkaq, Patër Ndue Kajtazi, udhëheqës i Kishës Katolike në Gjakovë, ka thënë se Nënë Tereza është letërnjoftimi i kombit shqiptar para botës.
“’Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi indiane, për sa i përket besimit jam murgeshë katolike, sipas thirrjes i takoj botës, por zemra ime i përket plotësisht Krishtit’. Ky është letërnjoftimi i Nënë Terezës, këto janë fjalët që ajo i thotë për të treguar se kusht është. Nënë Tereza ishte një ndër 100 personalitetet më me ndikim të kohës. Andaj ishte krejt normale që shumë kombe dhe shumë popuj u munduan ta përvetësojnë emrin e saj. Ajo u bë e veçantë sepse ishte vegël në dorën e Zotit. Nënë Tereza mbetet një thesar shpirtëror për studim dhe përsiatje, e mbi të gjitha rrugë që duhet ta ndjekim. E për ne shqiptarët ajo mbetet letërnjoftimi ynë para botës. Të duam çka ajo deshi, të bëjmë çka ajo bëri dhe të ëndërrojmë çka ëndërroi ajo”, ka thënë Patër Ndue Kajtazi

Ndërkaq, sipas Don Martin Jetishi, shenjtërimi i Nënë Terezës është një krenari e madhe. “Ta kemi një bijë tonën e cila ndërmjetëson për ne, për popullin tonë para të madhit Zot”. Sipas tij, ky është një gëzim i veçantë dhe jo vetëm ne shqiptarët, por për mbarë botën.

Manifestimi për shenjtërimin e Nënë Terezës kishte mbledhur edhe qytetarë të shumtë të cilët ishin prezent në këtë ngjarje të organizuar nga komuna dhe kisha katolike në Gjakovë.

Qytetari Arben Rugova ka thënë se kjo ditë është një ditë e shenjtë, për të gjithë kombin tonë, sepse me shenjtërimin e Nënës Terezë, më në fund edhe shqiptarët e kanë një shenjtore që i gjithë njerëzimi dhe bota e mbarë na njeh përmes saj. Ndërsa, sipas Pjetër Drenit, i ardhur nga diaspora për këtë ngjarje, kjo ngjarje është një mrekulli për të gjithë popullin shqiptar.

Busti që nderon Novosellën dhe gjithë kombin

Lidhjet e Gjakovës me të shenjtën Nëna Terezë janë të veçanta. Ky qytet ka mbartur edhe lidhje të veçantë familjare me të shenjtën Nënë Tereza. Vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjakovës, gjendet fshati Novosellë, vend nga e kishte origjinën Drane Bojaxhiu, e ëma e Nënë Terezës. Ndonëse një fshat i vogël, por me traditë dhe besim të madh, Novosella është vendi i parë, i cili e ka lartësuar në bronz figurën dhe veprimtarinë e të shenjtës Nënë Terezës deri sa ajo ishte gjallë.

Si çdo nismë edhe ndërtimi i këtij busti kishte iniciatorët e vet, nismëtari i saj ishte Lekë Lekaj, një mërgimtar nga Kroacia, i cili thotë se e kishte ëndërr ndërtimin e bustit të Nënë Terezës në fshatin e tij të lindjes.

“Busti i Nënë Terezës është ndërtuar në fillim të vitit 1989, dhe është busti i saj i ndërtuar në gjithë Evropën gjatë kohës sa ajo ishte gjallë. Si iniciator i kësaj nisme ka qenë shumë e vështirë që të mblidhen mjetet financiare për ndërtimin e këtij busti. Mirëpo, falë mbështetjes së bashkatdhetarëve tanë në Kroaci dhe vende të tjera të Evropës, ne e kemi ndërtuar këtë bust, i cili në atë kohë ka kushtuar më shumë se 22 mijë marka gjermane”, tha ai.
Si iniciator ai thotë se është një ndjejnë e veçantë që një Nënë e cila i ka shërbyer gjithë botës me vullnetin dhe dashurinë e Zotit dhe Krishtit u shpall e shenjtë, “njëkohësisht ky është një nder që u bëhet të gjithë shqiptarëve”.

Image