Qeveria nuk e di se kur do ta rikthejë për votim demarkacionin

Aktuale September 05, 2016 - 15:55

Ende nuk dihet se kur Qeveria e Kosovës, do ta rikthejë sërish në për votim në Kuvendin e Kosovës projektligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e ZI.

Faton Abdullahu, këshilltari për media i kryeministrit të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se ende nuk është paraparë ndonjë afat kohor për kthimin e këtij projektligji, por sipas tij së pari do të harmonizohen qëndrimet e palëve të koalicionit si dhe do të bisedohet me subjektet tjera që të sqarohen paqartësitë dhe keqkuptimet sa i përket përmbajtjes së këtij projektligji.

“Në këtë fazë nuk mund ta përcaktojmë saktë me ditë se kur do ta procedojmë demarkacionin në Kuvend, por do të punohet me të gjitha palët e koalicionit në drejtim që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur duke u munduar që më këtë rast t’i harmonizojmë përpjekjet në njërën anë të shtetndërtimit si proces dhe në anën tjetër ngritjes së kualitetit të jetesës, së qytetarëve duke mos e harruar se në këtë harmonizim duhet dhe të mos e ngadalësojmë procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline.

Ai ka thënë se periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit e deri te procedimi, do ta shfrytëzojnë për sqarime dhe interpretime.

“Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i sërishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime interpretime të drejta për tu dhënë mundësi të gjithë subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejt gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka thënë Abdullahu