“Pronto” nuk bën përjashtim nga drejtësia
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha ka thënë se organet e pavarura dhe kompetente e përcaktojnë se a ka bazë për të filluar procedura ligjore, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. E pyetur për aferën “Pronto” ajo ka thënë se nëse ka bazë të tillë, atëherë ligji duhet të zbatohet ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe që duhet të ballafaqohen me drejtësinë
Afera “Pronto” nuk bën përjashtim nga rastet tjera dhe se nëse organet e drejtësisë vlerësojnë se ka bazë për t’i filluar procedurat ligjore, atëherë, sipas saj, kjo duhet të bëhet ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin.
Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një intervistë për gazetën “Zëri”, për të shtuar se pavarësia e gjyqësorit është e garantuar dhe se pushtetet të cilat funksionojnë mbi parimin e ndarjes dhe mosndërhyrjes duhet t’i shmangen komenteve dhe kritikave që do të rrezikonin pavarësinë dhe besimin e opinionit publik në sistemin gjyqësor.
Kurse duke komentuar kërkesën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për luftim të korrupsionit, ministrja Hoxha ka thënë se kjo kërkesë është në vijë të plotë me qasjen e re të Ministrisë së Drejtësisë që të përqendrohet në sundimin efektiv të ligjit.
Zëri: Zonja Hoxha, nuk ka shumë kohë prejse e keni marrë detyrën e ministres së Drejtësisë, a mund të na thoni se cilat janë prioritetet tuaja për këtë mandat dhe cilat janë vështirësitë?
Hoxha: Prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është përmirësimi i efektivitetit të sundimit të ligjit, duke siguruar transparencën dhe llogaridhënien e të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit. Ministria e Drejtësisë do të angazhohet që të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit, por duke krijuar njëkohësisht mekanizma për llogaridhënie të plotë. Duke u nisur nga ajo që sundimi efektiv i ligjit nënkupton zbatimin e plotë të ligjit, Ministria e Drejtësisë do të përkushtohet në përmirësimin e mekanizmave shtetërorë të zbatimit të ligjit dhe të bashkëpunimit midis tyre. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë do të përqendrohet në ngritjen e vetëdijes dhe informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe për funksionimin e sektorit të sundimit të ligjit. Për këtë arsye do të përmirësohet dialogu publiko-privat, duke përfshirë në këtë debat qytetarët, shoqërinë civile, mediet, bizneset, profesionistët dhe akademikët.
Zëri: Cilat janë problemet më të mëdha të sistemit të drejtësisë në Kosovë?
Hoxha: Ministria e Drejtësisë do të fillojë këtë vit, me ndihmën e SHBA-së, një vlerësim të hollësishëm të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë me qëllim të identifikimit të problemeve me të cilat po përballet ky sektor. Përveç identifikimit të saktë dhe të plotë të problemeve, ky vlerësim do të shërbejë për përgatitjen e një strategjie gjithëpërfshirëse për sundimin e ligjit në Kosovë. Shumë probleme janë evidentuar gjatë punës së përditshme, nga mediet dhe nga shoqëria civile, si p.sh. rastet e pazgjidhura, mungesa e resurseve adekuate, legjislacioni në kompletim e sipër, por vlerësimi në fjalë do të nxjerrë në pah të gjitha problemet, do të analizojë alternativat e arsyeshme dhe do të ofrojë zgjidhje për problemet e identifikuara. Ky proces, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, do të kërkojë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore, të shoqërisë civile, të profesionistëve dhe të akademikëve me qëllim që të ketë suksesin e dëshiruar.
Zëri: Gjatë vizitës në Kosovë zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden kërkoi që të luftohet më seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni, si e komentoni këtë kërkesë të Biden-it?
Hoxha: Siç e thashë edhe më parë, sundimi efektiv i ligjit nënkupton që ligji të zbatohet në tërësi dhe në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve dhe pa asnjë përjashtim. Kërkesa e zëvendëspresidentit amerikan Biden është në vijë të plotë me qasjen e re të Ministrisë së Drejtësisë që të përqendrohet në sundimin efektiv të ligjit. Në kuadër të kompetencave të veta, Ministria e Drejtësisë me të gjithë mekanizmat e saj institucionalë do të përkushtohet pa asnjë rezervë për realizimin e sundimit efektiv të ligjit.
Zëri: Çfarë mund të bëni ju si ministre për këtë çështje?
Hoxha: Ministria e Drejtësisë ka kompetenca të kufizuara, për arsye se, sikurse gjyqësori, ashtu edhe Prokuroria janë të pavarura dhe asnjë institucion, madje as Ministria e Drejtësisë, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e tyre. Mirëpo, përcaktimi i politikave në sektorin e sundimit të ligjit janë në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë dhe këtë kompetencë Ministria e Drejtësisë do ta shfrytëzojë maksimalisht. Përmirësimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies, përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të angazhuara në sektorin e sundimit të ligjit do të ketë prioritet, ashtu edhe përmirësimi i proceseve të bashkëpunimit dhe të bashkërendimit midis gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve tjera të sigurisë, natyrisht brenda kufizimeve që i përcakton Kushtetuta dhe duke e respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të Prokurorisë.
Zëri: A nënkupton kërkesa e Biden-it se duhet të ketë edhe arrestime të “peshqve të mëdhenj”?
Hoxha: Para ligjit nuk ka as peshq të mëdhenj e as peshq të vegjël. Para ligjit të gjithë janë të barabartë, të gjithë duhen të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, njëherësh parimi se askush nuk është mbi ligjin siguron trajtim të drejtë për të gjithë dhe pamundëson shkeljen dhe mosrespektimin e ligjit. Ne jemi të vendosur ta mbrojmë këtë parim, parim ky i cili siguron trajtim dhe barazi për të gjithë. Pra, të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe të gjithë ata që thyejnë dhe shkelin ligjin duhet të përballen me drejtësinë.
Zëri: Si e komentoni aferën “Pronto”?
Hoxha: Qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë në këtë çështje nuk dallon prej asaj çka thashë më parë. Ekzistojnë organet e pavarura dhe kompetente, të cilat përcaktojnë se a ka bazë për të filluar procedura ligjore, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Nëse ka bazë të tillë, atëherë ligji duhet të zbatohet ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe që duhet të ballafaqohen me drejtësinë.
Zëri: A janë të lira organet e drejtësisë për t’u marrë me këto raste?
Hoxha: Sipas parimeve bazë, “Parimeve Themelore mbi Pavarësinë e Gjyqësorit", pavarësia e gjyqësorit garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve tjera në fuqi. Andaj, është detyrë e të gjitha institucioneve ta respektojnë dhe ta ruajnë pavarësinë e gjyqësorit. Pushtetet, të cilat funksionojnë mbi parimin e ndarjes dhe mosndërhyrjes, duhet t’i shmangen komenteve dhe kritikave që do të rrezikonin pavarësinë dhe besimin e opinionit publik në sistemin gjyqësor.
Zëri: Presidenti i vendit Hashim Thaçi vazhdon të insistojë në ndryshimet e Kodit Penal, a mund të na tregoni se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë dhe sa ka hapësirë për t’u bërë ndryshime të tilla?
Hoxha: Sa i përket kësaj Ministria e Drejtësisë ka filluar procesin e koordinimit për pranimin e komenteve nga të gjitha institucionet në sektorin e drejtësisë. Jemi në pritje të përmbylljes së fazës së informatave dhe komenteve, afat përfundimtar është përcaktuar fundi i muajit gusht. E gjithë kjo fazë ka për qëllim hartimin e komenteve të strukturuara, të cilat pastaj do të shqyrtohen nga grupi punues. Pas kësaj faze do të iniciojmë themelimin e grupit punues, ku për detyrë kryesore do ta ketë përmbledhjen, diskutimin dhe analizimin final të të gjeturave, komenteve dhe rekomandimeve, pastaj vazhdohet me hartimin e koncept-dokumentit. Ne në vazhdim do të jemi në kontakt me të gjitha palët si: mediet, shoqërinë civile dhe të interesuarit tjerë për përbërjen e këtij grupi dhe do t’i ftojmë ata ta përcjellin procesin dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces.
Zëri: Tanimë EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv në inicimin e rasteve të reja, qoftë hetuese, ose gjykuese pa pëlqimin e organeve të drejtësisë në Kosovë. Andaj, sa janë të gatshme këto organe, qoftë Prokuroria dhe gjykatat të merren me rastet relevante në vend?
Hoxha: Prokuroria dhe gjykatat kanë detyrim ligjor që t’i zbatojnë të gjitha kompetencat e tyre. Nëse për këtë u nevojiten resurse shtesë, Ministria e Drejtësisë do të angazhohet maksimalisht brenda kompetencave të veta që të ndihmojë në alokimin e këtyre resurseve, me qëllim që Prokuroria dhe gjykatat të jenë të afta dhe në gjendje t’i përmbushin detyrat e tyre ligjore në mënyrë efektive.
Përmirësimin e mëtutjeshëm të këtyre segmenteve e shohim si kusht të domosdoshëm për të shtuar besimin e qytetarëve në sektorin e sundimit të ligjit, si dhe për të rritur shpresën e tyre se kjo strukturë institucionale paraqet instancën e duhur normative nëpërmjet së cilës ata mund t’i realizojnë të drejtat dhe liritë e përgjithshme, individuale, qytetare dhe politike pa asnjë dallim dhe diskriminim.