Raportimet në Këshillin e Sigurimit, nuk i bëjnë më përshtypje Kosovës

Aktuale August 24, 2016 - 16:43

Raportimet tre mujore për zhvillimet në vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për Kosovën më nuk janë të rëndësishme.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, vlerësojnë se këtyre raportimvë po u humbë kuptimi pasi që tashmë Kosova është e pavarur.

Valon Murtezaj zëvendësministër në MPJ, ka thënë për lajmi.net se këto raportime duhet të mos jenë çdo tre muaj, por një herë në vit, apo edhe të hiqen fare.

Murtezaj një ditë para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet raporti tre mujor për Kosovën i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, që përfshinte periudhën prej 16 prill deri më 15 korrik të 2016-ës, ka thënë se përderisa këto raportime janë në fuqi, Kosova do paraqesë qëndrimet e saja për zhvillimet në vend.

“Raportimet tre mujore në Këshillin e Sigurimit për Kosovën po e humbin kuptimin,  sepse zhvillimet në Kosovë tani më janë përtej rezolutës 1244. Mirëpo, përderisa janë në fuqi raportimet e tilla, Kosova do të paraqes qëndrimet dhe pikëpamjet e veta për zhvillimet”.

“Natyrisht që këto raportime do duhej që të mos ishin çdo tre muaj së paku, a po të hiqen fare apo të jenë një herë në vit, sepse Kosova tani më është e pavarur dhe ‘nuk i bie taman’ rezoluta 1244”, ka thënë Murtezaj.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit do të mbahet të enjten me 25 gusht, në të cilën do të diskutohet për raportin e tremujor të Kosovës. Në këtë raport, sekretari Ban, ka bërë një sërë kritikash për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë, vonesat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

“Situata e tensionuar politike dhe protestat e opozitës kanë ndikuar në angazhimin e Prishtinës, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe procesi i formimit të qeverisë kanë ndikuar në vëmendjen e Beogradit”, thuhet në këtë raport tremujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, transmeton lajmi.net.

E sa i përket kësaj kritike, Murtezaj ka thënë se pala kosovare ka qenë konstruktive në këtë çështje dhe për këtë, sipas tij, Ban Ki-moon duhet të drejtojë gishtin nga pala serbe.

“Pala Kosovare ka qenë konstruktive gjatë gjithë këtij proces dhe për këtë  Ban Ki-moon duhet të drejtoj gishtin nga pala destruktive në këtë proces”, është shprehur ai./ lajmi.net.

Image