“Transformimi i FSK-së në FAK, varet nga Kosova”

Aktuale August 24, 2016 - 16:30

Ministrii FSK-së Haki Demolli priti sot në takim një delegacion të NATO-s të kryesuar nga Paul Savereux, drejtor i Divizionit për Plane dhe Politika të Mbrojtjes të Aleancës i cili sot mandaton Ekipin këshillues ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në.

Demolli gjatë takimit mes tjerash tha se  objektivi i Kosovës është që të promovojmë paqe në vend dhe më gjerë, si dhe këto objektiva përputhen me vendet tjera të Bashkimit Evropian, aty ku vendi ynë synon që të integrohet.

Gjithashtu,  ministri i FSK-së e njoftoi delegacionin e NATO-s edhe mbi rekomandimet e dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë, për punën që ka bërë ministria që ai e drejton dhe Forca e Sigurisë në drejtim të draftimit të amendamenteve kushtetuese, pakos së ligjeve dhe planifikimin afatgjatë në drejtim të përgatitjes sa më të mirë të procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK), pas vendimit politik që pritet të merret nga institucionet më të larta të vendit

Ndërsa, Komandanti i Forcë së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama e njoftoi delegacion nga Brukseli për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, besueshmërinë  e lartë që ka kjo forcë në opinionin vendor si dhe rritjen e kësaj besueshmërie edhe tek minoritetet që jetojnë në Kosovë e posaçërisht tek pakica serbe.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i NATO-s, Paul Savereux, drejtor i Divizionit për Politika dhe Plane në Aleancë tha se,,NATO është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës”, kjo siç tha ai, u konfirmua edhe në Samitin e NATO-s, të mbajtur në  Varshavë të Polonisë.

Në fund, kreu i delegacionit të Aleancës Veri-Atlantike Paul Savereux tha se transformimi i FSK-së në FAK, varet nga shteti i Kosovës, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në përputhje me mundësitë dhe nevojat e Kosovës; pra, për gjithë këtë proces dhe modalitetet vendos vetë Kosova, transmeton Klan Kosova.