Vetëvendosje: Nuk do të ndalemi deri në dorëheqjen e Thaçit e Veselit, dorëheqja e Grabovcit nuk mjafton

Aktuale August 24, 2016 - 15:44

Lëvizja Vetëvendosje do ta vazhdojë mobilizimin dhe nuk do të ndalet, derisa të japin dorëheqje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Kështu u tha sot gjatë një konfeerence për media, me ç’rast u theksua se  dorëheqja e deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, pas përgjimeve të publikuara,  nuk është e mjaftueshme.

“Dorëheqja e Grabovccit nuk mjafton. Kjo dorëheqje ka dëshmuar se ky pushtet nuk është i paprekshëm, por mobilizimi i fuqishëm qytetar duhet ta detyrojë Thaçin edhe Veselin të japin dorëheqje.  Ne nuk do të ndalemi derisa kjo të ndodhë”, ka thënë anëtari i këtij subjekti, Ylli Hoxha, shkruan Zëri.info.

Mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të realizohet me ndihmën e organeve të drejtësisë në Kosovë, pasi ashtu si ai është shprehur, të gjitha ato kontrollohen nga i ashtuquajturi “klani pronto”.

“Njuk mund të presim nga prokurorët sepse ata i ka punësuar klani pronto. Nuk mund të presim nga policia sepse drejtuesit e policisë janë nën kontroll të klanit pronto, nuk mund të presim të na e tregojë të vërtetën RTK-ja, sepse menaxhmenti i këtij mediumi është i vendosur në funksion të klanit”, ka shtuar ai gjatë konferencës.

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka manipuluar me statusin e veteranëve, duke shfrytëzuar atë për qëllime personale.

“Në shpërblim të votave, këta e shitën statusin e veteranit duke abuzuar me respektin dhe vlerat e UÇK-së, të veteranëve të vërtetë, të cilët këta matrapazë i shndërruan në  pazar votash”, u shpreh ajo në konferencën e sotme.

Sipas Kadaj-Bujupit, krimi që ka bërë “klani pronto” nuk është vetëm individual, por një krim i organizuar, i cili siç ka thënë ajo, nis qysh prej udhëheqësve të shtetit të Kosovës.

Deputetja e VV-së tutje, u ka bërë thirrje qytetarëve që më datën 1 shtator të dalin në protestë, me qëllim që ta ndalin këtë grup.

“Prandaj, me këtë rast edhe niher dëshirojmë që t’ju thërrasim, duke e parë degradimin, që po ndodhë në vend,  që me datën 1 shtator gjithsecili të jeni në sheshet e  Prishtinës, të mobilizohemi si asnjëherë më parë, sepse kjo do të jetë mënyra e vetme që këtë klan pronto ta ndalim, t’i kërkojmë llogari dhe vendit t’i hapim prespekivë dhe horizonte të reja”, ka shtuar Donika Kadaj-Bujupi.

Ndryshe, përgjimet që janë publikuar qe disa ditë me radhë nga Insajderi e që protagonist i tyre ka qenë Adem Grabovci, vënë në pah nepotizmin, ku pasi ky i fundit (në bashkëpunim me disa persona të tjerë të PDK-së) punëson disa njerëz, fare pa konkurse. /Zëri/