Spitali i Gjakovës mban higjienën vetëm me ujë

Aktuale August 24, 2016 - 08:19

Skadimi i kontratës së kompanisë SFK me spitalin e Gjakovës dhe vonesat në tenderin për pastrimin e hapësirave spitalore për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë bërë që spitali i Gjakovës të mirëmbahet vetëm me ujë. Aty po punojnë 54 veta, pa materiale higjienike dhe pa shpresën se dikush do t’i paguajë

Nga fundi i korrikut, për pastrimin e Spitalit të Gjakovës nuk është përdorur as edhe një detergjent.

Kjo, pasi kompanisë e cila kishte tenderin për pastrimin e Spitalit i ka skaduar kontrata, kurse kompetencat për shpalljen e tenderit për spitalet regjionale kanë kaluar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Përfaqësues të kompanisë SFK, që kishte tenderin për mirëmbajtjen e higjienës në këtë spital, kanë thënë se nga momenti i skadimit të kontratës, punëtorët e tyre kanë vazhduar të merren me mirëmbajtjen e spitalit.

Por, në kompani thonë se ata nuk dihet se kush do t’i paguajë. 54 punëtorë që merreshin me higjienën, kompania private i kishte bartur në menaxhimin e saj, kur shërbimi ishte privatizuar vite më parë.

Spitali po mirëmbahet vetëm me ujë

Shefqet Damka, njëri nga menaxherët e kompanisë SFK që kishte tenderin për mirëmbajtjen e Spitalit të Gjakovës, ka thënë se punëtorët kanë vazhduar punën, por ai ka shtuar se më nuk është përgjegjësi e tij menaxhimi e as pagesa e tyre.

“Unë nuk e di më se kush do t’i paguajë punëtorët”, ka thënë ai.

Damka, për kompaninë të cilën ai e menaxhon kanë shumë vërejtje zyrtarët spitalorë, sa i përket furnizimit me materiale higjienike-sanitare, ka thënë se prej muajit korrik kur ka skaduar kontrata e kompanisë SFK ata punëtorë kanë pastruar spitalin vetëm me ujë.

Në hall janë edhe punëtorët e pastrimit në Spitalin e Gjakovës. Ata kishin kaluar në kompaninë që menaxhon Damka, derisa tash nuk e kanë të qartë se çka do të ndodhë me pagesën dhe fatin e tyre.

“Nuk e dimë nëse kanë me na pagu ose jo. Ne po punojmë por kurrkush nuk na jep asnjë informatë. Po thonë që është shpallë fituesi i tenderit të ri dhe do të kalojmë në kuadër të kompanisë e cila do të fitoj tenderin për krejt spitalet e Kosovës”, thotë njëra nga punëtorët e kompanisë, e cila nuk preferon t’i përmendet emri në gazetë.

“Ne edhe ashtu kemi mbetë as anej e as k’nej. Po na përmendët ne gazetë na qesin menjëherë prej pune. Qato janë ka e lypin”, thotë gruaja, e cila tregon se tash e një muaj asnjë shampon më të thjeshtë dhe dezinfektues nuk e kanë pasur në dispozicion për pastrimin e spitalit.

“Problemin kryesor e kemi me të ardhmen tonë. Ne ashtu si po mundemi po e mirëmbajmë higjienën. Disa jemi në prag të pensionit. A do të paguhemi apo jo për këtë muaj nuk kemi informata”, ka thënë ajo.

Punëtorët paralajmërojnë për greva

Gazeta ka provuar të flasë me drejtorin e Spitalit të Gjakovës Ahmet Asllani. Kontakti me të ka qenë i pamundur, derisa përfaqësues të zyrës së prokurimit në Spitalin e Gjakovës kanë thënë se përgjegjësia për zhvillimin e procedurave tenderuese tashmë ka kaluar në kuadër të SHSKUK-së.

“Procedurat për tenderin e pastrimit tashmë kanë kaluar në kuadër të SHSKUK-së. Ata janë përgjegjës për zhvillimin e procedurave tenderuese”, ka thënë Besart Gashi, zyrtar i prokurimit në Spitalin e Gjakovës.

Gashi ka thënë se për momentin nuk kanë shërbim të pastrimit. “Ende nuk dihet kush do t’i paguajë këta punëtorë”, ka thënë Gashi.

Gazeta ka kontaktuar edhe me sindikalistët e Spitalit të Gjakovës. Edmond Arapi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Spitalit të Gjilanit, ka thënë për “Zërin” se punëtorët kanë kërcënuar me greva në lidhje me pagesën e tyre. “Ne do të përkrahim format sindikale të organizimeve të tyre”, ka thënë Arapi.

Ai ka njoftuar se të mërkurën (sot) do të mbahet një takim mes kompetentëve në lidhje me fatin e këtyre punëtorëve dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për pagesën e tyre.