Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi, të hënën protestë në Tiranë

Aktuale August 23, 2016 - 22:45

Vija e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi do të kundërshtohet përmes protestave edhe në Tiranë. Ditën e hënë, një grup profesorësh dhe aktivistë të shoqërisë civile manifestojnë përpara Ambasadës së Kosovës kundër kësaj marrëveshje.

“Kosova dhe kombi shqiptar nuk ka tokë për të falur. Ne bëjmë thirrje për bashkim në: Tubimin protestues para Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, të hënën, më 29 gusht 2016, në ora 12:00, në kundërshtim të marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të zi Qytetarë dhe personalitete nga Republika e Shqipërisë kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të zi”, thuhet në njoftimin për mediat.

Sipas ekspertëve demarkacioni me Malin e Zi i merr Kosovës 8200 hektarë tokë. Në njoftim thuhet se personalitete dhe qytetarë nga Republika e Shqipërisë e kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje

“Ekspertë të shquar të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë, e me gjerë me argumente dhe fakte të pakontestueshme tregojnë se shqiptarët me këtë akt të fundit ndërkombëtar vijojnë të humbin territore, sovranitet, subjektivitet politik, në Ballkan dhe Evropë. Dëmi në territore vlerësohet të jetë së paku 8,200 hektarë (82 km2) territor nga rajoni i Dukagjinit. Komisioni shtetëror i Kosovës ia dorëzon arbitrarisht Malit të zi. Pika strategjike ushtarake, si majat e vargmalit të Dukagjinit, burime jetike ujore, dhe trashëgimi natyrore e bjeshkëve të zonës, prona shqiptarësh, tokë mbi të cilën kanë rënë dëshmorë të kombit shqiptar, përfshirë edhe të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës, i përkasin Kosovës historikisht dhe juridikisht”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja me Malin e Zi, e cila u nënshkrua fshehtas nga Thaçi, cilësohet në deklaratë si tradhti kombëtare dhe se kundër marrëveshjes kanë nënshkruar 205 mijë qytetarë.

“Marrëveshja aktuale me Malin e zi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës me 4 gusht 2016 dhe u dorëzua në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, përbën tradhti kombëtare, u nënshkrua tinëz në 26 gusht 2015 nga Hashim Thaçi, edhe pse kishte kundërshtime të paraqitura në Kuvend e terren, si dhe një rezolutë parlamentare që ia ndalonte nënshkrimin. Me përgjegjësi qytetare ne mund ta izolojmë këtë krim vetëm në qeveri dhe ta shpëtojmë Kuvendin e Kosovës nga një akt i lartë tradhtie. Kundër marrëveshjes qytetarët kanë nënshkruar më shumë se kurrë në histori: 205 mijë njerëz”, thuhet në njoftimin për shtyp.