AAK “zbutet” për demarkacionin

Aktuale August 20, 2016 - 08:12

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos i bashkëngjitet Lëvizjes “Vetëvendosje” në protestën e 1 shtatorit për demarkacionin. Zyrtarë të këtij subjekti politik thonë se gjithë fokusi i tyre do të jetë rrëzimi i Marrëveshjes përmes votës. Edhe te “Nisma për Kosovën” thonë se ende s’kanë vendosur për mënyrën e kundërshtimit të demarkacionit në seancën e fillimshtatorit

Tri subjektet opozitare në vend, “Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma”, nuk kanë qëndrim të njëjtë sa i përket mënyrës së kundërshtimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila pritet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator 2016.

Përderisa, Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se nuk do të kursejë “asnjë mjet demokratik” si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij për ta parandaluar ratifikimin e demarkacionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se i gjithë fokusi i kësaj partie është që të parandalohet ky ratifikim përmes votës kundër, kështu duke shpresuar se as deputetët e koalicionit nuk do ta votojnë Marrëveshjen e 26 gushtit të vitit të kaluar.

Ndërsa “Nisma për Kosovën” thotë se do ta vazhdojë kundërshtimin, mirëpo ende nuk ka vendosur për mënyrën e kundërshtimit.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se ky subjekt politik tashmë ka filluar punën dhe angazhimin për protestën e 1 shtatorit, në mënyrë që ajo të jetë masive.

Hyseni: Po përgatitemi për protestë

“Ne kemi filluar mobilizimin dhe jemi duke punuar që të mobilizohemi sa më shumë. Jemi edhe më shumë në terren, në pikat dhe qendrat tona. Vazhdimisht kemi takime e tubime. Në ditët në vijim sigurisht që do të shtohet intensiteti i punës, dhe në përputhje me këtë, presim që 1 shtatori të mbushë sheshet e Prishtinës”, është shprehur Hyseni.

Ai më tej ka thënë se “Vetëvendosja” organizon protesta paqësore, por, sipas tij, Policia në disa raste i ka provokuar protestuesit. Hyseni ka thënë se edhe protestën e 1 shtatorit e kanë paralajmëruar si paqësore dhe se besojnë që Policia e Kosovës do ta lërë që të jetë e tillë deri në fund.

Sidoqoftë, sipas tij, më e rëndësishmja për “Vetëvendosjen” është që të mos ratifikohet demarkacioni dhe s’do ta kursejnë asnjë mjet demokratik si në Kuvend, ashtu edhe jashtë tij që të arrihet ky qëllim.

“E kemi thënë edhe më herët se ne do të shfrytëzojmë gjitha mjetet demokratike që ta ndalim këtë marrëveshje. Dhe kjo vlen sikurse për protestuesit në shesh, ashtu edhe për deputetët brenda Kuvendit. E këtu, një gjë që dihet është se ne do ta kundërshtojmë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje me ato veprime dhe mjete që në asnjë mënyrë nuk lejojnë që Kosova të humbet 8000 hektarë tokë”, ka shtuar Hyseni, duke thënë se tashmë janë parë disa prej metodave që deputetët i kanë përdorur në Kuvend. Mirëpo, se a do të veprohet njësoj apo do të ketë ndonjë risi, sipas Hysenit, kjo pak i mbetet edhe deputetëve të na befasojnë.

Nitaj: Rrëzimi i Marrëveshjes, përmes votës

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se i gjithë fokusi i AAK-së është rrëzimi i kësaj Marrëveshjeje, përmes votës.

“Gjithë fokusi i AAK-së, është i orientuar në rrëzimin e Marrëveshjes. D.m.th. në votën kundër. Ne kemi bërë plot punë që deputetët ta kuptojnë që demarkacioni nuk duhet votuar, sepse ka qenë një proces jo i saktë dhe jo transparent. Besojmë që kjo është arritur. Ne presim që deputetët ta rrezojnë këtë Marrëveshje, në mënyrë që ajo të hyjë në rrugën e zgjidhjes pas mosratifikimit”, ka potencuar Nitaj.

Kurse, shefja e grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se kjo parti vazhdon të kundërshtojë marrëveshjet e dëmshme, atë për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Megjithatë, nuk ka thënë se cila do të jetë mënyra e kundërshtimit, pasi, sipas saj, për këtë çështje do të vendosin organet e partisë.

“Ne kemi deklaruar se në momentin që Qeveria do ta procedojë për në Kuvend Demarkacionin ne do të jemi aty për ta kundërshtuar fuqishëm. Ndërsa, sa u përket formave të kundërshtimit apo protestave, kjo u mbetet organeve të partisë të vendosin dhe çfarëdo vendimi që do të dalë nga organet e ‘Nismës’ deputetët do ta zbatojnë si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij”, ka deklaruar Bajrami.

Ndërkohë, eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se protesta e 1 shtatorit pritet të jetë agresive, megjithëse, sipas tij, kjo protestë do të jetë e zbehtë.

“Protesta pritet të jetë agresive sipas përfaqësuesve të LVV-së, por duke i parë mosmarrëveshjet dhe duke parë një moskordimin të opozitës, mendoj se kjo do ta zbehë fuqinë e kësaj proteste. Pra mekanizmat e sigurisë do të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për çfarëdo sfide, tashmë veç kanë një përvojë në menaxhimin e turmave dhe protestave të dhunshme”, ka vlerësuar Islami.