Zhduket 15-vjeçari, prindi thotë se ia rrëmbeu një afgan (Foto)

Aktuale August 17, 2016 - 08:19

Ia premtoi parajsën, ndërsa i dha ferrin. Më 4 gusht të këtij viti, Ibrahim Kallabës, afgani i njohur me emrin Hanvazir Zadran i ka rrëmbyer djalin e mitur, Liridonin 15 vjeç, në fshatin Dobërçan.

Që nga ajo ditë, Ibrahimi nuk e ka parë djalin e tij. Kontaktin e vetëm me djalin Liridonin e ka pasur pas 4 ditëve nga dita kur ishte zhdukur më 8 gusht. Në një bisedë të shkurtër telefonike, Liridoni i ka thënë babait të tij se është shëndosh e mirë dhe i kapur nga autoritetet hungareze prej ku pritet të lirohet pas një dite. Mirëpo, kanë kaluar edhe dy javë të tjera, dhe Ibrahimi nuk ka dëgjuar më asgjë prej djalit të tij.

Ndërkohë emri i Liridonit figuron edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë se ka kaluar me datën 5 gusht 2016. Ndërsa, të vetmen bisedë që Ibrahimi e ka pasur me afganin, Zadran, para pak kohësh, ky i fundit i ka thënë se nuk është parë prej tre ditësh me Liridonin dhe nuk di asgjë për fatin e tij. Tani Ibrahimi dyshon pikërisht se fajtor për humbjen e djalit të tij është afgani Hanvazir Zadran për të cilin thotë se ia ka rrëmbyer djalin e mitur pa pëlqimin e tij.

Gjithçka nisi në Gjermani

Në vitin 2014, familja Kallaba nga Dobërçani kishte emigruar në Gjermani. Pas vendosjes në Karlsruhe, ata ishin dërguar në kampin Hartheim. Pikërisht aty nis edhe “miqësia” e djalit të Ibrahimit, Liridonit, atë kohë 13 vjeç me afganin Hanvazir Zadran mbi të 30-at, përkundër diferencës në moshë. Ibrahimi thotë se afrimin e djalit të tij me afganin e ka raportuar në polici edhe në Gjermani.

“Nuk më ka pëlqyer asnjëherë që afgani qëndronte me djalin tim. E kam qortuar Liridonin disa herë. Madje e kam njoftuar edhe policinë në kamp, dhe u kam kërkuar që ta heqin afganin nga kampi jonë”, rrëfen Ibrahimi. “Megjithatë policia kërkonin fakte pse duhet ta bëjnë një gjë të tillë dhe ne nuk kishim diçka konkrete. Madje as djali nuk fliste diçka keq për të. Ai thoshte se dëshiron të qëndrojë me të sepse e trajton mirë”, tregon babai i Liridonit. Mirëpo pas tetë muajve qëndrimi në Gjermani, familja Kallaba kthehet në Kosovë. Mirëpo, me këtë veprim nuk përfundon as “miqësia” e Liridonit me afganin Zadran. Ata mbajnë korrespodencë të rregullt në rrjetet sociale. Derisa këtë vit, afgani vendos të vijë në Kosovë për ta vizituar Liridonin. “Ai ka ardhur në Kosovë në muajin korrik. Nuk e di se si ka ardhur. Kur e kam pyetur se çfarë kërkon këtu ka thënë se vetëm ka dashur ta vizitojë Liridonin. Ai ka qëndruar në një restorant “Luli” në Gjilan. Aty ka qëndruar disa ditë derisa djali më tha sa ai ka shkuar”, tregon Ibrahimi, i cili shton: “Mirëpo, ai nuk kishte shkuar fare nga Kosova. Mbesa ime më ka treguar më pas se e ka parë përsëri në Gjilan. Ai kishte qëndruar aty deri në ditën kur edhe Liridoni doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më”, rrëfen më tej i emocionuar babai i tij Ibrahimi. 

“Afgani ma rrëmbeu djalin”

I zhgënjyer nga zhdukja e djalit të tij, Ibrahimi e ka lajmëruar rastin në polici. Mirëpo, deri më tani nuk ka marrë asnjë informacion konkret sa i përket vendndodhjes së 15-vjeçarit. “Ata më kanë thënë se kanë kontaktuar edhe me autoritetet e huaja, mirëpo ende askush nuk e ka parë djalin tim. Kam qenë edhe në Serbi nëpër stacione policore. Edhe ata më kanë konfirmuar se djali im ka hyrë në territorin serb, mirëpo aty përfundon çdo gjurmë e tij”, ka thënë babai Ibrahimi.

Ibrahimi dyshon se djali i tij mund të jetë marrë pengë ndokund. Ndërsa fajin ia lë tërësisht afganit, Zadran, për të cilin thotë se ia ka rrëmbyer djalin. “Ai e ka marr djalin tim pa lejen time. Djali im është i mitur dhe nuk mund të vendosë për vete. Ai ma ka rrëmbyer djalin”, thotë Ibrahimi i frustruar. Tani lutja e vetme e Ibrahimit është që djali i tij të jetë shëndosh e mirë. Ndërkohë që kërkon edhe nga autoritetet e policisë që të intensifikojnë punën e tyre në gjetjen e djalit ose të afganit Zadran, i cili ia mashtroi djalin. “Unë lus Policinë e Kosovës që të bashkëpunojë me këdo që është e mundur qoftë nga policitë rajonale, qofte INTERPOL-in për ta kërkuar djalin tonë. Motra ime që është në Gjermani ka shkuar në kampin ku kemi qenë, mirëpo ata i kanë thënë se kërkesa duhet të jetë shtetërore. Prandaj kërkoj nga policia jonë që të merret më shumë me këtë rast. Unë vetëm lutem që ai të jetë shëndosh e mirë, asgjë tjetër nuk dua”, thotë i përlotur Ibrahimi.

Image
Image
Image
Image
Image