Kosova ndihmoi Haitin, por jo dhe Hasanbegun!

Aktuale August 14, 2016 - 08:16

Qeveria e Kosovës vite më parë kishte ndihmuar me 50 mijë euro Haitin pas një tërmeti shkatërrues, por ende nuk e ka ndarë asnjë cent për Hasanbegun e Shkupit, ku nga vërshimet kanë humbur jetën 22 qytetarë, si dhe janë shkatërruar shumë shtëpi

Qeveria e Kosovës në vitin 2010 kishte ndarë 50 mijë euro për ta ndihmuar shtetin e largët të Haitit, pak ditë pasi ishte goditur nga një tërmet shkatërrues. Edhe në vitin 2012 kur një tërmet e kishte goditur Italinë, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 20 mijë euro.

Por, një javë pasi një stuhi e fuqishme natyrore ka goditur Hasanbegun e Shkupit, ku kanë humbur jetën 22 qytetarë dhe janë shkatërruar shumë shtëpi, ekzekutivi i vendit nuk e ka ndarë asnjë cent për bashkëkombësit që jetojnë në Shkup, derisa Qeveria e Shqipërisë gati që një javë ka ndarë një fond prej 100 mijë eurosh.

Banorët e Hasanbegut janë lënë në mes të baltës e mbeturinave që solli stuhia.

Ekzekutivi kosovar deri më tani është mjaftuar që të deklarohet përmes një komunikate se me shqetësim dhe me dhimbje e përcjell situatën e përmbytjeve në Maqedoni.

“Prishtina zyrtare shpreh ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e shkaktuara nga vërshimet”, thuhet në një komunikatë për media, ku Qeveria e Kosovës shprehet e gatshme të ndihmojë në mënyrë të pakursyer fqinjin e saj, pas tragjedisë natyrore.

“Qeveria e Kosovës njofton se është e gatshme të nisë Forcat e Sigurisë së Kosovës, drejt shtetit maqedonas”, thuhej në komunikatën e lëshuar një ditë pas vërshimeve, më 7 gusht.

Qeveria e Kosovës nuk ka mbajtur asnjë mbledhje për vërshimet në Maqedoni në fshatin Hasanbeg, ku shumica e banorëve që jetojnë atje janë shqiptarë.

Madje, nga Qeveria nuk janë deklaruar për mospërkrahje financiare për banorët e fshatrave të vërshuara, pavarësisht insistimit të gazetës “Zëri” që të marrë përgjigje.

Ndihma e vetme që ka dhënë Kosova është mbështetja me një ekip shpëtimi nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ekipi në përbërje ka pasur tetë pjesëtarë, tre automjete, dy automjete me 4 pompa thithëse, gjithsej katër pompa 800-1500 litra dhe një automjet i komandës dhe mbështetjes logjistike.

Ekipi nga Kosova ka qëndruar në mbështetje të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë, deri me datë 12.08.2016, gjatë kësaj kohe, ky ekip ka pasur të kryejë operacione të shkarkimit (thithjes) të ujërave nga shtëpitë e përmbytura nga vërshimet.