Gegaj: Shtyrja e ratifikimit të demarkacionit, mesazh i keq

Aktuale August 13, 2016 - 20:22

Anëtari i Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Parlamentin e Malit të Zi dhe deputetë i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikollë Gegaj, konsideron se vendimi i Kuvendit të Kosovës për të shtyrë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është mesazh i keq nga Prishtina zyrtare.

Gegaj, absolutisht të papranueshme e ka vlerësuar sjelljen e disa opozitarëve në Kosovë të cilët janë përpjekur të hyjnë në territorin e Malit të Zi, duke theksuar që me këtë akt kanë tentuar të rrezikojnë marrëdhëniet e mira mes dy shteteve.

“Shtyrja e miratimit të Ligjit për ratifikim në parlamentin e Kosovës nën ndikimin e elementeve radikale është një mesazh shumë i keq për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës në sytë e bashkësisë ndërkombëtare,ka thënë Gegaj për gazetën Pobjeda duke rikujtuar se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Barak Obama në një bisedë me ambasadoren e Kosovës në SHBA-a, Vlora Çitakun, e ka përshëndet dhe mbështetur marrëveshjen për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe BE-ja dhe kjo është kusht për liberalizimin e vizave.

Gegaj si deputet dhe anëtar i Komisionit Shtetëror ka marrë pjesë në mënyrë aktive në procesin e demarkacionit mes dy vendeve.

Mali i Zi dhe Kosova në gushtë të vitit të kaluar në Vjenë kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacion, ku të pranishëm ishin presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i jashtëm i Austrisë, Sebastijan Kurc. Marrëveshja u ratifikua nga Mali i Zi.

Gegaj tha se në fillim të shtatorit pret vendim pozitiv nga Kuvendi i Kosovës  dhe që opozita radikale do ta kuptojë se është më mirë, me pas me të gjithë fqinjët marrëveshjet për demarkacion,duke pasur parasysh se asnjë shtet nuk humbë por të gjithë së bashku në rajon fitojnë. /Malësia.ME/