Shaip Muja i sigurt: Demarkacioni s’kalon as më 1 shtator (Video)

Aktuale August 11, 2016 - 21:58

Deputeti i PDK’së, Shaip Muja ka komentuar caktimin e datës 1 shtator për mbajtjen e seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Caktimi i seancës për një shtator tregon se deputetët nuk kanë qenë të vendosur dhe të sigurt për ta votuar këtë marrëveshje të ratifikimit të demarkacionit”, ka thënë Muja për Rrokum.

Madje deputeti Muja ka dyshime nëse kjo marrëveshje aktuale mundet të votohet edhe me një shtator.

I pyetur se si e komenton deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa kur ai tha se “deputetët kanë nevojë për kontroll për probleme psikike”, Muja deklaroi se Mustafës i uron pensionim të këndshëm sepse sipas tij “kjo është më e mira”.

“Unë i uroj pesion të këndshëm sepse e ardhmja e tij është në pesion, ndryshe nga e ardhmja ime dhe e të tjerëve”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK’së ka thënë se nëse kalon demarkacioni në Kuvend, nuk mundet që më pas kjo marrëveshje të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar.

Muja ka komentuar edhe zërat që thonë se demarkacioni mbështetet edhe te Marrëveshja e Kumanovës.

“Marrëveshja e Kumanovës nuk ka bërë përcaktim të vijës kufitare por këto janë lojëra sepse vija kufitare mundet që të ndryshojë veç në forma tjera të luftës por që ne nuk jemi të interesuar për këtë, por që duhet të kërkohet nga Mali i Zi që të ndryshojë disa nene të kësaj marrëveshjeje dhe nuk ka nevojë që të bëj provokime, përderisa ne nuk arrijmë një konsensus”, ka theksuar Muja.

“Unë nuk i quaj tradhtarë anëtarët e Komisionit Shtetëror, sikurse i quan opozita, sepse këta kanë gabuar, dhe në shkencë mund të gabosh”, ka thënë tutje ai.

Deputeti Muja ka thënë se më 1 shtator demarkacioni nuk do të kaloj dhe këtë bindje të tij nuk ka forcë që mund ta ndryshojë.

Ai ka thënë për Lëvizjen Vetëvendosje se nuk duhet që me anë të veprimeve të saja të shkaktojë inate tek deputetët, të cilët mund të ndryshojnë mendimin e tyre për demarkacionit, pikërisht për shkak të inatave.