Tetori, vendimtar për vizat

Aktuale July 30, 2016 - 08:13

Ministri i Integrimit Bekim Çollaku ka thënë se muaji tetor mund të jetë vendimtar për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave. Ai thekson nevojën që Kosova ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacion. Ndërsa, opozita thotë se nuk do të ketë liberalizim derisa nuk ka luftim të korrupsionit

Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku ka thënë se muaji tetor mund të jetë vendimtar për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai ka thënë se në fillim të shtatorit mekanizmat e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, ndërsa procesi mund të përfundojë gjatë muajit tetor. Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane dhe deputetë të subjekteve opozitare thonë se çështja e liberalizimit të vizave është më shumë e lidhur me luftimin e korrupsionit sesa me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Sipas tyre, nuk do të ketë liberalizim derisa nuk ka luftim të korrupsionit.

Ministri Bekim Çollaku ka thënë për “Zërin” se shqyrtimi, përkatësisht miratimi i rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, është në agjendë të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian.

Çollaku ka thënë se tashmë është konfirmuar data 5 shtator kur pritet të votohet në Komisionin për të Drejta Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian për të kaluar pastaj në seancë plenare për miratim përfundimtar. Sipas Çollakut, paralelisht me këtë pritet që edhe në Këshillin e BE-së vendimmarrja të kalojë sipas procedurave dhe dinamikës së paraparë.

Deri në tetor edhe Kosova do të lëvizë përpara

“Përderisa vazhdojnë me procedura të brendshme të vendimmarrjes institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare presin që Kosova të përmbushë kriterin e fundit të mbetur në proces duke ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacion. Duke u bazuar në dinamikën e deritanishme të procesit të vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së, unë mendoj se muaji tetor mund të jetë vendimtar në përmbylljen e këtij procesi. Mirëpo, duhet të theksoj faktin se po flasim për një vendim që është tërësisht përgjegjësi e BE-së”, ka deklaruar Çollaku.
Më tej ai ka thënë se përkundër sfidave të brendshme me të cilat po ballafaqohet Bashkimi Evropian, të cilat ndikojnë në kontekstin e përgjithshëm brenda shteteve anëtare të BE-së, beson se institucionet e BE-së do të respektojnë zotimet e tyre karshi shteteve, të cilat kanë plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, duke përfshirë edhe Kosovën.
“Por, po e përsëris për të ndodhur një gjë e tillë ne duhet të zbatojmë kriterin e fundit të mbetur në këtë proces. Në këto rrethana, do të ishte tërësisht e pakuptimtë dhe e papranueshme çfarëdo zvarritje eventuale e vendimit nga ana e BE-së. Prandaj, duke presupozuar se ne do ta përmbushim me sukses obligimin e mbetur në këtë proces, unë shpreh besimin tim të plotë së vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës patjetër duhet të merret deri në fund të këtij viti”, ka shtuar Çollaku.
Në fund ai ka thënë se mosratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi mund ta dëmtojë Kosovën në shumë aspekte dhe atë përtej procesit të liberalizimit të vizave. “Tani kur po afrohemi te vendimmarrja në BE, duhet edhe t’i japim kahe këtij procesi duke vendosur përfundimisht lidhur me këtë çështje. Në këtë drejtim duhet që të gjitha institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe mediet t'i japim mbështetje debatit të caktuar më 3 gusht në Kuvendin e Kosovës, në të cilin do të diskutohet kjo çështje mbi bazën e fakteve. Pas prezantimit të fakteve nga palët e përfshira, kjo çështje menjëherë duhet të kalohet për votim në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët vendosin me votën e tyre”, ka theksuar Çollaku.

Kadaj-Bujupi: Nuk ka liberalizim pa luftim të korrupsionit

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se çështja e demarkacionit dhe liberalizimit të vizave janë çështje të ndara. Sipas saj, liberalizimi i vizave do të ndodhë vetëm kur të luftohet rrënjësisht korrupsioni.

“Janë dy çështje të ndara. E para asnjëherë për asnjë vend nuk ka qenë kriter demarkacioni, rrjedhimisht në rastin tonë falja e tokës kundruall vizave... Përderisa dihet që viza nuk do të ketë derisa të luftohet rrënjësisht krimi dhe korrupsioni e punë që vështirë bëhet pasi pushtetarët janë ‘protagonistët’ kryesorë të këtyre veprimeve”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Ajo më tej ka thënë se luftimi i korrupsionit nënkupton që pushtetarët duhet të luftojnë vetveten. Kurse, zëvendëskryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, ka thënë se ngecja në procesin e liberalizimit të vizave ka ndodhur për shkak të mospunës së Qeverisë.
“Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ajo ka ngecur pikërisht nga mospuna e njerëzve, të cilët janë dhe kanë qenë kompetentë dhe ndëshkimi që po ju servohet qytetarëve me mosliri të lëvizjes është përgjegjësi e kësaj Qeverie të korruptuar, e cila ka kapur çdo institucion të pavarur”, ka potencuar Bajrami.
Deputetja e “Nismës për Kosovën” më tej ka thënë se frika që ekziston brenda vendeve të Bashkimit Evropian për emigrim masiv është real, megjithatë, sipas saj, është e padrejtë që për faj të qeveritarëve të pësojnë qytetarët.
“E frikën që e ka BE-ja për emigrim ndoshta është e arsyeshme pasi që e dimë se shkaktarët për emigrimin e mbi 150 mijë qytetarëve ishin këta që sot edhe po qeverisin vendin në mënyrë jolegjitime. Por, është e padrejtë që për fajin e tyre dhe mospunën e tyre të mbesin të izoluar qytetarët e vendit tonë”, ka përfunduar Bajrami.

Ndërkohë opinionisti Imer Mushkolaj ka thënë se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë agjendën e këtij procesi, pra dihet se kur do të shqyrtohet rekomandimi për liberalizim. Megjithatë, sipas tij, është vështirë e besueshme se ky proces mund të përmbyllet para fundit të këtij viti. “Unë besoj se nëse gjithçka shkon mirë deri në shtator, gjë që nuk jam i sigurt për shkak të mospërmbushjes së disa kritereve që i kemi si vend, në rastin më të mirë mund të ndodhë që procesi të përmbyllet në fund të vitit, por prapë po them se varet shumë prej rrjedhës së përmbushjes së kritereve. Nuk jam optimist se kjo mund të ndodhë në vjeshtë”, ka vlerësuar Mushkolaj. Ai gjithashtu ka thënë se Kosova duhet të ketë rezultate shumë më të mëdha në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, si dhe të përmbyllë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi në mënyrë që të ndodhë liberalizimi.