Kadaj-Bujupi: Jemi të vendosur ta ndalojmë ratifikimin e Demarkacionit

Aktuale July 27, 2016 - 18:27

Ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje mbajti mbledhjen e tretë zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm, e cila ishte edhe përmbyllje e procesit të brendshëm zgjedhor në këtë subjekt politik.

Në këtë mbledhje u zgjodh edhe struktura e re udhëheqëse e VV-së, ku tashmë pjesë e saj është edhe deputetja Donika Kadaj- Bujupi, e cila është zgjedhur si anëtare e kryesisë.

Kadaj-Bujupi ka folur rreth këtij procesi zgjedhor ku theksoi se VV-së i janë bashkuar mbi katërmijë anëtarë të rinj.

Ajo ka folur edhe për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ku ka ritheksuar se janë më të vendosur se kurrë që ta pamundësojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! integriteti territorial i shtetit është shtyllë e sovranitetit dhe fuqisë së shtetit. Prandaj është tepër me rendësi që pas debatit, marrëveshja të anulohet dhe të dërgohet në rishikim, ku do të korrigjohen gabimet fillestare. Komisioni dhe nënshkruesit duhet të japin llogari për këtë marrëveshje, e cila po të mos ishte rezistenca jonë, tani do të ishte punë e kryer. Dëmet e shkaktuara janë te thella, por zbatimi eventual i saj do të ishte burim i konfliktit të përhershëm edhe për gjeneratat. Andaj, ne u angazhuam dhe s’do të ndalemi deri ne realizimin e se drejtës për të ruajtur tokën tonë”, thotë ajo, në një intervistë për Telegrafin.

LEXO EDHE: Franca e përkushtuar të thellojë bashkëpunim për sundim të ligjit në Kosovë

Ajo thotë se do të marrin pjesë në tryezën për demarkacionin.

“Grupi ynë parlamentar e ka nënshkruar kërkesën e z. Bulliqi. Gjithsesi do të marrim pjesë. Por më duhet të them se është absurde që Kosovës të i kërkohet të dëshmojë që Bjeshkët e Rugovës janë tonat. Është kriminale përpjekja që përmes pazareve për përfitime personale dhe politike, të sakrifikohet territori. Do të jemi aty për ta konfirmuar që ne nuk do të ndalemi së rezistuari deri në shfuqizimin e plotë të marrëveshjes”, thotë Kadaj Bujupi.

Deputetja që la AAK-në dhe kaloi në Vetëvendosje thotë se janë të vendosur që të pamundësojnë ratifikimin e marrëveshjes aktual.

“Jemi më të vendosur se kurrë që ta pamundësojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Sa më e madhe që të jetë tentativa e pushtetit për ratifikimin e kësaj marrëveshje, aq më të vendosur do të jemi në rezistencën tonë brenda dhe jashtë Kuvendit. Jo për t’i matur forcat me pushtetin, por për ta mbrojtur territorin e Republikës. Një marrëveshje që rrezikon shtetin, duke humbur territor, burime ujore , kuota strategjike ushtarake, në 4 km vijë ajrore të Qafa e Çakorit dhe Kulla e Zhlebit, ku Mali i Zi hyn në Kosovë, nuk do të lejojmë të zbatohet në Kosovë. Por mbi te gjitha, marrëveshja rrezikon tkurrjen e mëtutjeshme gjate demarkacionit me Serbinë, në rast të krijimit të një precedenti të këtillë duke lejuar që kadastra të jetë kriter dhe metodologji, sidomos kur kemi parasysh se origjinalin e librave kadastralë që e mbanë edhe më tutje Serbia”, thotë ajo.