Franca e përkushtuar të thellojë bashkëpunim për sundim të ligjit në Kosovë

Aktuale July 27, 2016 - 17:56

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka pritur sot në takim Ambasadoren e Republikës së Francës,  Maryse Daviet. 

Ambasadorja Daviet uroi Ministren Hoxha për detyrën e re dhe shfaqi përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm. Ministrja Hoxha e falënderoi  Daviet për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar Ambasada e Francës në Kosovë, veçanërisht Ministrisë së Drejtësisë, transmeton "Zeri.info".

Ambasadorja Daviet shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin e përbashkët në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, gjatë takimit, ministrja Hoxha shprehu ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të viktimave në sulmin e fundit të ndodhur në Francë.

Ministrja theksoi se vlerat universale të të drejtave të njeriut, liria e shprehjes, liria e medias, liria e besimit fetar, janë vlera që bashkojnë shtetin e Kosovës me shtetin mik të Francës.