Funksionalizohet dializa e fëmijëve në QKUK (Video)

Aktuale July 27, 2016 - 08:08

Një donacion që i është dhuruar QKUK-së nga kompania “Fresenius”, do t’u mundësojë fëmijëve kosovarë t’u kryhet dializa në Klinikën e Pediatrisë, duke iu shmangur kështu udhëtimit në drejtim të Tiranës nga tri herë në javë

Ata së bashku me familjarët e tyre kanë udhëtuar nga tri herë në javë në drejtim të Tiranës. Jo për të vizituar qendrat tregtare atje e as për ekskursion. Janë tre fëmijë kosovarë që po detyrohen të shkojnë në kryeqytetin shqiptar së paku çdo të dytën ditë, për të kryer atje dializën, pasi në Kosovë kryerja e shërbimeve të dializës për fëmijë nuk është e mundur.

Por, me materialet që të martën i dhuroi Klinikës së Pediatrisë kompania “Meditech”, që përfaqëson prodhuesin e produkteve të dializës, “Freseniuz”, këta fëmijë dhe familjarët e tyre për një vit e kanë të siguruar marrjen e shërbimeve të dializës në QKUK.

Dhurimi i materialeve për fëmijët e dializës është bërë përmes platformës “Miqtë e fëmijëve”, e lansuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Pjesë e kësaj platforme është edhe Angelika Viets, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.

Spahiu: Fëmijët detyroheshin të shkojnë në Tiranë për shërbimet e dializës

Lidvana Spahiu, shefe e Njësisë së Hemodializës së Fëmijëve në Klinikën e Pediatrisë, tha se fëmijët aktualisht shkojnë në Tiranë për të marrë shërbimet e dializës.

“Me donacionin që na u dhurua sot, ata do të mundë të kryejnë tashmë këtu shërbimet e dializës”, ka thënë Spahiu.

Por, Klinika e Pediatrisë nuk i ka të dhënat e fëmijëve që janë duke kryer dializën në Tiranë, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Ata vazhdimisht pyesin nëse kemi siguruar materialet. Tash mund t’iu konfirmojnë se mund të kryejnë dializën edhe këtu në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, prej vitit 2014, kur përmes donacioneve, kryesisht të prodhuesit “Fresenius” është hapur dializa e fëmijëve, sipas Spahiut, tetë fëmijë kanë pasur nevojë për dializë.

“Tre nga ta kanë bërë transplantim të veshkave”, ka thënë ajo.

Angelika Viets, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, tha se në fazën e tranzicionit nëpër të cilën po kalon Kosova, donacionet e tilla janë të nevojshme dhe të mirëseardhura.

“Kompania Gjermane Freseniuz, përmes përfaqësisë së saj në Kosovë, ka ndihmuar me aparatura të ndryshme në Kosovë, e në këtë rast përmes KOMF-it do të ndihmojë fëmijët që të marrin këtë shërbim në Kosovë”, theksoi Viets.  

Sipas saj, nevojiten investime më të mëdha në shëndetësi, në mënyrë që gjendja të përmirësohet në vazhdimësi, po ashtu edhe Ligji për Sigurime Shëndetësore do të ndihmonte në këtë drejtim.

 Kosova ende nuk është e gatshme për transplantimin e organeve

Agron Sadiku, drejtor ekzekutiv i Meditech, tha se vlera e donacionit është 13 mijë euro, por më e madhe se kjo vlerë monetare, sipas tij, është vlera e dializave që do të mundësohet për fëmijët kosovarë, të cilët po detyrohen të shkojnë për dializë në Tiranë.

“Ne kemi shprehur vullnet të mirë për të dhënë këtë donacion që fëmijët të trajtohen këtu, për shkak të shpenzimeve, por edhe për shkak të shumë arsyeve tjera”, ka thënë Sadiku.

Ai është shprehur se janë të gatshëm të ndihmojnë fëmijët me qëllimin më të mirë.

Edhe Sadiku edhe Lidvana Spahiut, shefe e hemodializës së fëmijëve kanë thënë se zgjidhje më e mirë e përhershme për këta fëmijë do të ishte transplantimi i veshkave.

Një gjë e tillë aktualisht nuk është e mundur në Kosovë, pasi vendit i mungon një ligj për transplantimin e organeve.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se janë duke punuar në hartimin e ligjit për transplantimin e organeve. “Kjo është një fushë shumë specifike në shëndetësi dhe deri në fund të vitit do të kemi rezultatet e para sa i përket ligjit për transplantimin e organeve”, ka thënë Sadiku.

E Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, i pyetur nëse kanë kapacitete për të kryer transplantimin e organeve nëse krijohet baza ligjore, ka thënë se nuk është thjesht vetëm mungesa e ligjit, por edhe mungesa e standardeve me kushte shumë specifike që do të kryenin këto shërbime për qytetarët.