U jepet lamtumira e fundit Dijamantit dhe Armelës (Foto)

Aktuale July 27, 2016 - 08:01

Janë varrosur dje dy viktimat e para nga Kosova, të cilat u vranë të premten në Munih të Gjermanisë, Dijamant Zabërgja e Armela Segashi. Familjarët e të vrarëve me lot në sy u lutën që “këto të jenë viktimat e fundit të terrorit në botë”. Dijamanti u varros në Ropicë të Vushtrrisë, ndërsa Armela në Podujevë

Qindra qytetarë nga gjithë vendi kanë marrë pjesë dje në varrimin e dy të rinjve kosovarë që u vranë nga një terrorist gjermano-iranian në Munih të Gjermanisë, me lutjet që “këto të jenë viktimat e fundit të terrorit në botë”. 

Derisa Dijamant Zabërgja u varros në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, Armela Segashi, disa orë më vonë u varros në Podujevë prej nga është vendlindja e prindërve të saj.

Mes lotësh dhe fjalëve familjarët i dhanë lamtumirën e fundit 21-vjeçarit në Ropicë. Babai i Dijamantit, Naim Zabërgja, i ka thënë “Zërit” se uron që djali i tij të jetë viktima e fundit e këtij terrori në botë.

Ai ka falënderuar edhe të gjithë bashkëkombësit brenda dhe jashtë Kosovës, por edhe qytetarët gjermanë për solidaritetin dhe mbështetjen që i kanë dhënë atij me rastin e vrasjes së djalit të tij të vetëm.

LEXO EDHE: Kosova nderon heroin Enver Zymeri

“Kur kemi shkuar në Gjermani asnjëherë nuk kemi menduar se diçka e tillë do të na ndodhte. Në fakt askush nuk mendon diçka të tillë. Unë jam njeri i mirë dhe një diçka të keqe nuk e mendoj asnjëherë”, ka thënë Naim Zabërgja, i cili falënderoi të gjithë popullin shqiptar por edhe gjerman për solidarizimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë në këto ditë mërzie për të dhe familjen e tij.

“Madje në lagjen ku unë jetoj në Gjermani kanë anuluar edhe një festë të madhe për shkak të tragjedisë që i ka ndodhur familjes tonë”, ka thënë Naimi.

Jo më pak i prekur nga kjo tragjedi ka mbetur edhe kushëriri i Dijamantit, Ilmi Zabërgja.

Ai megjithatë përçoi mesazh të paqes dhe dashurisë për botën. “Është një rast i rëndë edhe për ne si familjarë por edhe më gjerë. Kjo tregon se një rast barbar ka ndodhur dhe ka prekur zemrat e gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm. Të mbarë njerëzimit dhe shpirtit paqedashës. Kjo tregon se shpirti paqedashës është gjithmonë ai që bashkon të gjithë njerëzit në momente të tilla”, ka thënë Ilmiu duke shtuar: “Është një akt i rëndë për familjen tonë, mirëpo mbështetja që po na japin po na lehtëson shumë këtë”.

Pjesëmarrës në varrimin e Dijamant Zabërgjës ishin edhe disa figura institucionale dhe publike të Kosovës. Atyre u priu ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili pas ceremonisë së varrimit u prononcua për mediat. “Peshën e humbjes së qytetarëve të Kosovës e kemi ndjerë edhe ne dhe jo vetëm familjarët. Kur ndodhi sulmi në Munih, e kisha një parandjenjë që do të kishte edhe shqiptarë duke pasur parasysh numrin e madh të diasporës që jeton atje”, ka thënë Murati.

Prezent në ceremoninë e varrimit ishin edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte pjesëmarrës në varrim ashtu siç ishte nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi. Madje Isufi pas përfundimit të ceremonisë së varrimit duke folur për media tha se Qeveria dhe ambasadat duhet të shtojnë kujdesin për qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

“Është një akt makabër dhe i rëndë për familjen. Qeveria dhe ambasadat e Kosovës  duhet të bëjnë më shumë në mbrojtjen dhe kujdesin e qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Isufi.

Ndërkohë në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Podujevë është varrosur edhe 14-vjeçarja tjetër kosovare e vrarë në Munih, Armela Segashi.

Qindra qytetarë kanë bllokuar rrugët e Podujevës duke dëshiruar që të japin nderimet dhe respektit e tyre familjarëve të Armelës. Edhe në këtë varrim ishte ministri i Diasporës Valon Murati, që u priu figurave institucionale ndërkohë që nuk mungoi as kryetari i Podujevës, Agim Veliu.

Dijamant Zabërgja dhe Armela Segashi u vranë të premten në qendrën tregtare “Olimpia” në Munih të Gjermanisë nga gjermano-iraniani Ali Sonoboly. 18-vjeçari kishte lindur në Gjermani, ndërsa është përshkruar si person që ka qëndruar vetëm dhe ka pasur probleme mendore.

Dijamant Zabërgja, Armela Segashi dhe Sabina Sulaj janë tre shqiptarët të cilët u vranë të premten në Munih të Gjermanisë, nga gjermano-iraniani Ali Sonoboly i cili përveç tyre vrau edhe 6 persona dhe plagosi 26 të tjerë. Me rastin e kësaj tragjedie Kosova të dielën ka mbajtur ditë zie, ndërsa nën organizimin e Ministrisë së Diasporës, qytetarët kanë ndezur qirinj në sheshin “Zahir Pajaziti”. Në këtë tragjedi u plagos edhe një 14-vjeçar nga Lugina e Preshevës.

Image
Image
Image
Image
Image