Kosova nderon heroin Enver Zymeri

Aktuale July 27, 2016 - 07:56

Institucionet e Kosovës, kolegët dhe qytetarët kanë nderuar të martën në 5-vjetorin e vrasjes, policin Enver Zymeri i cili u vra gjatë një aksioni policor në veri të Kosovës. Zymeri ishte polici i parë i vrarë në aksionin kur Qeveria e Kosovës po mundohej ta kthente nën ligj, anarkinë e krijuar nga serbët e veriut.

Pesë vjet më parë, me urdhër të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, Policia e Kosovës kishte marrë aksion për siç u tha, shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës.

Në shenjë kujtimi dhe nderi lidhur me përvjetorin e pestë të rënies në detyrë të heroit të Kosovës, zyrtarit policor Enver Zymeri, Policia e Kosovës ka realizuar disa aktivitete dhe vizita te lapidari i heroit, varrezat e fshatit dhe te familja e tij.

Ceremonia përkujtimore ka filluar në orën 10:00, ku në shenjë nderimi ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe drejtori i përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, të shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, vendosën kurora me lule te lapidari i heroit në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë si dhe te varri i heroit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Delegacioni në krye me ministrin Hyseni, drejtorin Maxhuni dhe stafin policor, pas homazheve të bëra te varrezat e fshatit, vizituan edhe familjen e heroit Zymeri.

Gjatë vizitës te familjarët ministri Hyseni tha se Enver Zymeri është personifikimi i rrallë i heroit, policit dhe babait i cili nuk ka kursyer asgjë për të demonstruar fuqishëm përkushtimin e tij. Hyseni theksoi se Qeveria dhe institucionet do të bëjnë çmos që Policisë së Kosovës t’i bëhen kushtet adekuate për punë.

“Pa dyshim që Enver Zymeri është personifikim i heroit, i njeriut, i policit, i babait, i birit, që nuk ka kursyer asgjë për ta demonstruar fuqishëm përkushtimin për rend dhe ligj, përkushtimin për vendin e vet, përkushtimin për strukturën, në këtë rast Policinë e Kosovës, që i përkiste dhe në krye të pesë vjetëve të rënies së tij ne e kujtojmë me admirim të posaçëm. Duke u zotuar në të njëjtën kohë që si institucione dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës të bëjmë çdo gjë që është e mundshme brenda mundësive dhe potencialeve që vendi ynë ka që Policisë së Kosovës dhe organeve të rendit dhe ligjit t’u sigurojmë hapësirë, mundësi dhe kushte të nevojshme për punë”, tha Hyseni.

Ndërsa, drejtori Maxhuni tha se Policia e Kosovës ndjehet krenar me heroin Zymeri, i cili me punën dhe kontributin e tij, duke mos kursyer as jetën, ka bërë që Policia e Kosovës nga ajo kohë të shërbejë dhe të shtrijë sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e vendit.

Policia e Kosovës ndër të tjera zotohet se do të jetë afër familjes së heroit Enver Zymeri.

Ajo gjithashtu betohet se do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.