Arbitrazhi, zgjidhje për Demarkacionin

Aktuale July 27, 2016 - 07:49

Zgjidhja e vetme e çështjes së demarkacionit, i cili po kundërshtohet ashpër nga opozita, po shihet vetëm përmes dërgimit në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Pavarësisht se më 3 gusht do të mbahet një tryezë shkencore rreth demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, mjegullia në dhënien e argumenteve që konstatojnë qoftë shënimin gabim të demarkacionit, që po pretendon opozita dhe një numër i madh profesorësh, qoftë për punën e drejtë të Komisionit qeveritar të cilën po e mbron Qeveria, nuk do ta zgjidhë këtë çështje.

LEXO EDHE: Deputetëve të AAK-së e të 'Nismës' u rrezikohet mandati

Mundësia që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit nuk mohohet as nga deputetët e partive në koalicionin qeverisës, por sipas tyre, së pari duhet të ekzistojnë faktet se po humbet territor.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, thotë për “Zërin” se nuk përjashtohet edhe kjo mundësi, që problemin e demarkacionit ta zgjidhin duke kërkuar ndihmën e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

“Nuk duhet përjashtuar asnjë solucion, asnjë variant. Por secili variant edhe ai që thotë është në rregull edhe ai që nuk është në rregull, duhet të kenë argumente, që kur të shkruhet diçka në letër të jetë brenda normave”, ka thënë Ferati.

Megjithatë, ai ka dilema për argumentet që mund të shtrohen.

“Unë kam dilema në argumentet që na i shtrojnë, hajde të gjejmë argumente se aty nuk është diçka në rregull dhe pastaj ka mundësi edhe të përmirësimit që nuk ka nevojë ta çojmë në Arbitrazh, edhe nuk përjashtohet mundësia. Por edhe vetë Mali i Zi thotë që nëse ka diçka keq mund ta diskutojmë. Nëse nuk pajtohemi me Malin e Zi atëherë pse jo të shkohet në Arbitrazh. Më e keqja është se ne deri tash fare nuk po argumentojmë, ne jemi ndarë në dy blloqe në ata që thonë humbet dhe ata që thonë nuk humbet”, është shprehur ai. Ditë më parë edhe nënkryetari i PDK-së, njëherësh shef i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, ka kërkuar që çështja e demarkacionit të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Madje, Grabovci kishte thënë se me Marrëveshjen aktuale, Mali i Zi ka hyrë 5 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës.

Në anën tjetër, profesori universitar, Vigan Qorrolli, ka thënë për “Zërin” se gjatë përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi është bërë një gabim në metodologjinë e përcaktimit të kufijve. Prandaj, sipas tij, ky rast duhet të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit. “Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Malit të Zi duhet me mirëbesim t’i drejtohen Gjykatës permanente të Arbitrazhit me seli në Hagë dhe në këtë rast dua që të mos ngatërrohet gjykata e arbitrazhit me gjykatën e drejtësisë, sepse ky mund të jetë opsioni i fundit në aspektin juridik”, ka thënë Qorrolli.

Ditë më parë Shoqata e Malazezëve të Kosovës doli me një propozim që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin, e pastaj të formohet një komision për rishikimin e vijës kufitare. Por, Qorrolli thotë se sipas normës ndërkombëtare nuk mund të rishikohet një çështje pasi të ratifikohet nga Parlamentet e dy vendeve, vetëm në rastet kur zbulohen fakte të reja që nuk janë ditur më herët. “Asnjë normë ndërkombëtare nuk e lejon rishikimin pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion. Nuk mund të ratifikohet Marrëveshja me klauzolë për rishikim të mëpastajshëm sepse këtë nuk e lejon e drejta ndërkombëtare”, ka thënë Qorrolli.

Ndërsa, profesori tjetër universitar Blerim Burjani thekson se demarkacioni mund të dërgohet në Arbitrazh vetëm pasi Kuvendi të marrë vendim për mospranimin e demarkacionit aktual.