Përkujtohet Enver Zymberi në përvjetorin e pestë, institucionet krenar me të

Aktuale July 26, 2016 - 16:35

Në shenjë kujtimi dhe nderi lidhur me përvjetorin e pestë të rënies në detyrë të heroit të Kosovës, zyrtarit policor Enver ZYMERI, u realizuan aktivitete dhe vizita te lapidari i heroit, varrezat e fshatit dhe tek familja e tij.

Ceremonia përkujtimore ka filluar në orën 10:00, ku në shenjë nderimi ministri i Punëve të Brendshme z. Skender Hyseni dhe drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Shpend Maxhuni, të shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së, vendosën kurora me lule tek lapidari i heroit në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë si dhe tek varri i heroit në fshatin Dubovc të Vushtrrisë, transmeton "Zeri.info".

Delegacioni në krye me ministrin Hyseni, drejtorin Maxhuni dhe stafin policor, pas homazheve të bëra tek varrezat e fshatit, vizituan edhe familjen e heroit Zymeri.

LEXO EDHE: Fotografi nga aksioni dhe vrasja e Enver Zymberit (FOTO)

Gjatë vizitës tek familjarët ministri Hyseni tha: “Është moment pikëllimi por në të njëjtën kohë edhe moment solemn i kujtimit të sakrificës dhe përkushtimit që ata kanë demonstruar me jetën e vet, për të zbatuar rend dhe ligj. Pa dyshim që Enver Zymeri është personifikim i heroit, i njeriut, i policit, i babait, i birit, që nuk ka kursyer asgjë për ta demonstruar fuqishëm përkushtimin për rend dhe ligj, përkushtimin për vendin e vet, përkushtimin për strukturën, në këtë rast Policinë e Kosovës, që i përkiste dhe në krye të pesë vjetëve të rënies së tij ne e kujtojmë me admirim të posaçëm. Duke u zotuar në të njëjtën kohë që si institucione dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës të bëjmë çdo gjë që është e mundshme brenda mundësive dhe potencialeve që vendi ynë ka që Policisë së Kosovës dhe organeve të rendit dhe ligjit t’u sigurojmë hapësirë, mundësi dhe kushte të nevojshme për punë.”

Ndërsa, drejtori Maxhuni tha se Policia e Kosovës ndjehet krenar me heroin Zymeri, i cili me punën dhe kontributin e tij, duke mos kursyer as jetën, ka bërë që Policia e Kosovës nga ajo kohë të shërbejë dhe të shtrijë sovranitetin e plotë në të gjithë territorin e vendit.

Falë përkushtimit dhe sakrificës së kolegut tonë, familjarit tuaj Enver Zymeri, i cili mbetet shembull për zbatim të rendit dhe ligjit, tani Policia e Kosovës ndjehet më e përgjegjshme dhe më e vullnetshme për punë dhe tani për këtë gëzon besueshmërinë nga qytetarët si institucioni më i besuar në vend.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të jetë çdo herë përkrah familjes suaj dhe çdo herë e gatshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ashtu siç ishte edhe heroi i Kosovës Enver Zymeri./Zeri/.