Aktakuzë ndaj dy prizrenasve, zhvilluan gara në autostradë dhe goditën për vdekje tre persona
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S. dhe I.H., të cilët gjenden në paraburgim, për shkak se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
“Të pandehurit A.S. dhe I.H., më datën 16.12.2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, në kilometrin e pesëmbëdhjetë të saj nga aksi rrugor ‘Prizren-Veri’ në drejtim të aksit rrugor ‘Prizren-Jug’, ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor”, thuhet në aktakuzë, raporton Zeri.info.
Po ashtu, sipas aktakuzës, bëhet e ditur se të pandehurit paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike.
“I pandehuri i parë, A.S, me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H., me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës. Që të dy lëvizin paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar”.
“I akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, ku edhe e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D. dhe L.S.”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu bëhet e ditur se ngasësit e automjetit në të njëjtën kohë u shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarve M.Z. dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në aktakuzë. /Zëri