Kurti mori pjesë në ditën hapëse të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës” në gjimnazin “Xhevdet Doda”

Kurti mori pjesë në ditën hapëse të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës” në gjimnazin “Xhevdet Doda”

Aktuale May 02, 2024 - 20:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë pasdites vizitoi Shkollën e Mesme, “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me rastin e organizimit të edicionit të 5-të, të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës”, i cili po mbahet në ambientet e kësaj shkolle.

I mirëpritur nga drejtori i shkollës, Bardhyl Kabashi dhe stafi i tij, kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në arsimimin dhe edukimin brezave të rinj, teksa i uroi për organizimin e Panairit. Ndërkaq, nxënësit i përgëzoi për idetë, projektet dhe punimet e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë interesimin për shkencën, kulturën e teknologjinë dhe të ushqejnë në vazhdimësi kuriozitetin prej shkencëtari.

“Panairi i Shkencës dhe Kulturës”, ka për qëllim kryesor që të rejat e të rinjtë të shprehin dijen e tyre, të shfaqin kreativitetin dhe aftësitë e fituara, në fushat e shkencës, teknologjisë, artit dhe kulturës.

Me moton “Shkenca e së sotmes është teknologjia e së ardhmes”, panairi ofron një platformë për nxënësit për të shfaqur idetë e tyre inovative dhe eksperimentet shkencore.

Ai mbahet me datë 2 dhe 3 maj. Gjatë këtyre dy ditëve në Panair ekspozohen punime të nxënësve nga lëndët shkollore si matematika, biologjia, fizika, astronomia, teknologjia, kimia, historia, psikologjia, filozofia, për të përfunduar te këndi i kulturës tradicionale dhe këndi i lojërave interaktive. /Zëri

Image

Image

Image

Image

Image