Kurti takohet me nënkryetaret serbe të komunave veriore, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kurti takohet me nënkryetaret serbe të komunave veriore, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale May 01, 2024 - 13:51

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në një takim pune ka takuar nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiq, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq.

Në takim bashkë me Kurtin ishin edhe ministrat, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

Kurti ka thënë se në takim u tha edhe nga nënkryetaret se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre, transmeton Zeri.info.

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serbë të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.

Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu.

Ky ishte bashkëbisedimi ynë i dytë në më pak se dy javë. Komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte dhe për adresuar sfida e vështirësi”, shkroi Kurti.

Kurti është shprehur mirënjohës ndaj nënkryetareve Adançiq, Tomaniq dhe Bogojeviq për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t'u shërbyer publikes dhe qytetarëve. /Zëri