PDK-ja reagon ndaj Haxhiut: Deklarata për gjenocidin s’ka bazë profesionale, padia bëhet në GJND
Foto: Laura Hasani

PDK-ja reagon ndaj Haxhiut: Deklarata për gjenocidin s’ka bazë profesionale, padia bëhet në GJND

Aktuale April 29, 2024 - 08:11

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, i hap rrugë padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

Gruda në një postim në Facebook ka shkruar se ministrja ka deklaruar diçka që nuk ka asnjë bazë profesionale.

“Padia për gjenocid duhet të bëhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (nëse do të jeto e mundur), jo në mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, shkroi Gruda.

Ai ka shtuar se kanë kaluar më shumë se tre vjet dhe asnjë hap nuk është bërë nga kjo qeveri për padinë për gjenocid.

“Kanë kaluar më shumë se tri vite dhe nuk kanë bërë asnjë hap për padinë për gjenocid. Tani që duan të dërgojnë statutin e ‘Zajednicës’ në Gjykatën Kushtetuese, provojnë të krijojnë sa më shumë paqartësi në publik duke folur për padinë pa asnjë bazë profesionale”, është shprehur Gruda.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se prioritet i Qeverisë mbetet padia për gjenocid nga Serbia.

Ajo thekson se Serbia vazhdon të mos i dorëzojë autorët e krimeve gjatë luftës ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

“E kemi në programin qeverisës dhe prioritet edhe padinë për gjenocid dhe kemi pasur disa takime në raport me këtë çështje me ekspertët që janë të profilizuar në krimin që ndërlidhet me gjenocidin. Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje nuk mund të jap më shumë informacione.

Ndërsa, natyrisht që pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës ne na hapen shumë rrugë dhe sigurisht bazuar në këtë do të vlerësojmë edhe veprimet që dalin pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që ta shfrytëzojmë si mekanizëm në kuptim të vendosjes së drejtësisë”, është shprehur Haxhiu.