Kosova nis negociatat për tregti dhe shërbime me EFTA-n

Kosova nis negociatat për tregti dhe shërbime me EFTA-n

Ekonomia May 03, 2024 - 12:21

Kosova sot fillon kapitullin e parë të negociatave për tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-s, e para në Ballkanin Perëndimor.

Rozeta Hajdari, ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka falënderuar delegacionin e palëve negociuese për fillimin e rundit të parë të negociatave dhe për tregtinë e shërbimeve ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, transmeton Zeri.info.

“Pas një procesi të gjatë të negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, për tregtinë e mallrave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA-s, sot i përshëndeta dhe i falënderova delegacionin e palëve negociuese për fillimin e raundit të parë të negociatave edhe për tregtinë e shërbimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA - Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq ajo u shpreh se fillimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm për Kosovën për arsye se shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën e Norvegjinë të cilat janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra e shërbime sipas saj.

Ajo përfundon duke thënë se përmes kësaj marrëveshjeje Kosova dhe vendet e EFTA-s do të forcojnë bashkëpunimin në fusha të cilat kanë një rëndësi të veçantë.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe vendet e EFTA-s do të forcojnë bashkëpunimin në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare, siç janë flukset e investimeve, duke përfshirë transferimin e teknologjisë, politikën dhe ligjin e konkurrencës, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe çështje dhe politika të tjera të lidhura me tregtinë, duke përfshirë tani edhe tregtinë e shërbimeve”, shkroi Ministria. /Zëri